Alim Rama, sekretari organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje, ka përshëndetur postimin e bashkëpartiakut të tij, Hekuran Muratit, i cili pretendon se përgjatë qeverisjes Kurti janë dyfishuar punësimet në krahasim me qeverisjet e tjera që nga 2012-a.
Rama ka shpërndarë shkrimin e Muratit, teksa ia ka bashkëngjitur fjalët “Shifrat flasin vetë, nuk ka nevojë për interpretime”, shkruan Insajderi.
Këto deklarata për kundërshtim të varfërisë i ka bërë personi i cili edhe deklarativisht është milioner. Në bazë të deklarimit të pasurisë pranë Agjencisë kundër Korrupsionit, Rama ka bërë të ditur se ka të holla mbi një milion euro në banka të ndryshme.
Çka deklaroi Murati?
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka pretenduar se përgjatë qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje, numri i të punësuarve është dyfish më ilartë sesa të gjitha qeveritë bashkë nga viti 2012 e këndej.
Murati, me anë të një postimi në ‘Facebook’ prezantoi disa statistika, të cilat thotë se janë zyrtare nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, ku thotë se përgjatë tri viteve të qeverisë Kurti janë shtuar afro 80 mijë vende pune.
Po ashtu, në këto statistika të prezantuara Murati pretendon se Qeveria Kurti është e vetmja kur ka vazhduar rritjen e punësimit në kohë zgjedhore. Ai thotë se s’kishin vepruat kështu qeveritë e kaluara. /Insajderi.org/