"Shihni Elsa Lilën çka u bën zanoreve", profesori universitar flet për rravgimin gjuhësor - Insajderi
×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    “Shihni Elsa Lilën çka u bën zanoreve”, profesori universitar flet për rravgimin gjuhësor

    Insajderi
    09 January 2023 - 14:50
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Një video e publikuar nga televizioni KTV mjaftoi që dy qytetare të jenë në shënjestër të kritikës kudo në rrjete sociale e gjetiu. Të pyetura nëse dëgjojnë muzikë në gjuhën shqipe, njëra nga vajzat u përgjigj se nuk dëgjon, derisa tjetra shpjegoi pse. Shpjegimin e bëri edhe në gjuhën shqipe edhe në atë angleze. Pra, vajza siç duket është bilinguale.

    Videoja në fjalë hap edhe një çështje tjetër lidhur me të folurit e gjuhës. Shtrohen pyetjet se a po bëhet rravgimi gjuhësor modë dhe është shqetësuese fakti që gjuha shqipe çdo ditë e më shumë nga gjeneratat e tjera ‘po harrohet’?

    Lidhur me këtë çështje, Gazeta Insajderi ka kontaktuar me profesorin universitar, Agron Gashi.

    Sipas tij të folur shqip me anglisht më shumë është një lojë fjalësh sesa mungesë e edukimit arsimor.

    “Te këto vajzat, apo te të rinjtë si këto, më tepër është një “lojë” fjalësh, sesa mungesë e edukimit arsimor. E them ketë, hiç mënyrën se si flasin, njëra përmend grupet më pikante të muzikës sonë. Ky hibridizim i zorshëm, jo evoluim gjuhësor, megjithatë është kalimtar” – tha ai.

    Agron Gashi – Profesor

    Tutje, profesori thotë se nëse gjuha flitet gjysmë shqip, gjysmë anglisht për t’u dukur më trend, kjo me kohë do të fashitet.

    “Nëse është dëshirë më qëllim që të duken më “trendy” gjysmën e fjalëve në gjuhë të huaj, gjysmën në shqipe, besoj se me kohë iu fashitet secilës dhe secilit, me profilizimin në një fushë, pra krijimin e një identiteti profesional dhe përgjegjësitë që mund të marrin në të ardhmen për një marrëdhënie pune”, shpjegoi ai.

    Ai shton se; “Këtu, duhet përjashtuar rastet kur shqipja flitet kështu për shkak të nevojës, pra një folës që është rritur, edukuar në botën e jashtme dhe ka problem me shqipen”.

    Tutje, Gashi shpjegon se shqetësues e sheh kur personat që kanë autoritet iu duket e bezdisshme ta flasin gjuhën shqipe.

    “Unë më shqetësuese e shoh kur një autoritet me ndikim, se si i duket e bezdisshme ta flas shqipen, madje ndihet keq që shqipja të tingëllojë ashtu siç është po i jep krejt ngjyrim të huaj me pretendimin se kështu është më e “avancuar” dhe më “metropolitane” gjithnjë me shprese se pranohet mirë nga audienca” – tha Gashi.

    Ai thotë se një gjë të tillë po e bën këngëtarja Elsa Lila.

    “Ky shembull ilustrohet më së miri me interpretimin e Elsa Lilës në Festivalin e fundit në RTSH, pa shihni çfarë u bën fjalëve shqipe, shih çfarë u bën zanoreve, një vajzë e rritur e edukuar në Shqipëri, me një karriere dyfaqëshe në Itali. Këtu kemi një simbiozë të inferioritetit me injorancën”- përfundoi Gashi.

    Gazeta Insajderi


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark