Biznesmeni, Sefë Fetoshi është dorëzuar në polici para disa ditësh, pasi ishte në arrati. Fetoshi, është pronar i ‘Velunia Club’ në Prizren. Ai dyshohet për shitblerje të lëndëve narkotike.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka kërkuar masën e paraburgimit, e cila u aprovua nga Gjykata.
Gjyqtarja e procedurës paraprake, ka nxjerrë aktvendim, duke ia caktuar Fetoshit një muaj paraburgim për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge“.
Në një përgjigje për Sinjalin, nga Gjykata kanë deklaruar se me rastin e caktimit të paraburgimit, ndaj të njëjtit, është vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e kësaj mase.
Fetoshi po dyshohet se “Se nga data e pa vërtetuar në vazhdimësi deri më datë 28.03.2024, në Prizren, Gjakovë, i pandehuri pa autorizim blenë, shpërndanë dhe shet substanca narkotike, të llojit kokainë të cilat janë shpallur me ligj si narkotikë, në atë mënyrë që i pandehuri S.F:, dhe E.Sh., fillimisht blejnë substanca të llojit kokainë nga persona të pa njohur ku më pas i pandehuri S.F., ia shet të pandehurit K.B:, i cili më dt. 02.10.2023 diku rreth orës 01:14 min tek lokali i tij “…………” përmes aplikimit të masave të veçanta dhe blerjes së simuluar pas pranimit të kokainës nga S.F., ia shet personit të koduar me emrin A. sasinë prej 50 gram kokainë (e cila ka rezultuar me ekspertizë kokainë) në shumë prej 2000 (dy mijë) €, duke i bërë pagesën K. 1900 (një mijë e nëntëqind) € derisa pagesa prej 100 € është dashtë të bëhet në takimin e radhës.
Kështu që më dt. 28.03.2024 pas bastisjes së kryer në bazë të urdhër kontrollit në shtëpinë e të pandehurit E.Sh., (përndryshe janë djalë halle e djalë daje) me banim në Gjakovë, në rrugën “………”, nr. ……. janë konfiskuar 1 qese plastike me substancë të dyshuar të llojit kokainë me peshë 5.71 gram, një (1) qese plastike me substancë të dyshuar të llojit kokainë me peshë 2.82, dy (2) qese plastike me substancë të dyshuar të llojit kokainë me peshë 147.78 gram dhe dy (2) qese plastike me substancë të dyshuar të llojit kokainë me peshë 52.01 gram, një peshore digjitale ngjyrë e bardhë, një peshore digjitale ngjyrë e zezë, tre (3) foli plastike, një (1) rrollne alumini, dy (2) shirita ngjitës izolira dhe një qese plastike me substancë të dyshuar narkotike të llojit mariuhanë në peshë prej 0.95 gram.”
Gjykata po ashtu gjeti se caktimi i paraburgimit është i arsyeshëm sepse hetimet janë në vazhdim e sipër, dhe faktin se i njëjti nga muaji mars i vitit 2024, ka qenë në arrati dhe i paarritshëm për institucionet e drejtësisë, andaj me lënien në liri ekziston rreziku i arratisjes me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale.