Kuvendi Komunal i Gjilanit në një seancë të jashtëzakonshme, e ka shkarkuar kryesuesin Arianit Sadiku.
Lajmin e ka bërë të ditur Komuna e Gjilanit, përmes një njoftimi në Facebook.
Kërkesën për shkarkimin e kryesuesit, në emër të 19 anëtarëve të Kuvendit, të cilët e kanë iniciuar këtë çështje, e ka arsyetuar Avdyl Aliu nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Aliu ka thënë se Kuvendi nuk ka funksionuar mirë që prej fillimit, ndërkaq prej korrikut të vitit 2022 e këndej është futur në krizë dhe nuk po mund të funksionojë.
Sipas tij, kjo për shkak të mungesës së bashkëpunimit, prandaj “nuk ka kuptim për të vazhduar kësisoj më tutje”.