
Policia e Shqipërisë ka finalizuar një tjetër fazë të operacionit ndërkombëtar, të koduar “The Wanted”, duke vënë në pranga një 37-vjeçar.
Bëhet fjalë për Albion Kalemin, i cili u kap në Tepelenë të Shqipërisë pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, për llogari të Kosovës, raporton Insajderi.
Ndaj tij ishin lëshuar 2 urdhër arreste nga Gjykata e Pejës, për kultivim të bimëve narkotike dhe për armëmbajtje pa leje. Ndaj tij pritet ekstradimi i 37-vjeçarit, ka njoftuar policia shqiptare.
Kalemi po kërkohej si i dyshuar për kultivim të 960 bimëve të kanabisit në Perqevë të Klinës.
“Me 2 urdhër arreste nga Gjykata e Pejës, për kultivim të bimëve narkotike dhe për armëmbajtje pa leje, kapet me qëllim ekstradimin, 37-vjeçari. Si rezultat i koordinimit të informacioneve dhe veprimeve operacionale, nga rrjeti ENFAST, ndërmjet homologëve në njësisë FAST, në Shqipëri dhe në Kosovë, u kap në Tepelenë në vijim të operacionit “The wanted”, shtetasi shqiptar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, për llogari të Kosovës, A. K., 37 vjeç, i lindur në Tepelenë“, thuhet në njoftimin e policisë shqiptare.
Ky operacion është udhëhequr prokurori Ersan Qavolli, i cili arriti të shkatërrojë rrjetin e shitblerjes së narkotikëve.
Vetëm pak ditë më parë Marglen Çomani është arrestuar në Gjirokastër të Shqipërisë si i dyshuar për të njëjtin rast.
“Falë informacioneve të siguruara nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër, shkëmbimit të informacionit mes Interpol Tiranës dhe Policisë së Kosovës, u bë i mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi me qëllim ekstradimi drejt Kosovës, i shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar: Marglen Çomani 38 vjeç, banues në fshatin Krahës, Memaliaj. Gjykata e Kosovës i ka caktuar këtij shtetasi masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve të hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit”, parashikuar nga Kodi Penal i Republikës së Kosovës”, thuhej në njoftimin e Policisë së Shqipërisë.
Lidhur me këtë rast, në pranga kanë rënë: Gzim Gashi, Faik Gashi, Selim Gashi, Marglen Çomani dhe tash Albion Kalemi. /Insajderi.org/