Shkelën Kushtetutën, Ministria e Drejtësisë s’e llogaritë për ngjarje të javës – Insajderi
×
  • Lajme
  • Insajderi

    Shkelën Kushtetutën, Ministria e Drejtësisë s’e llogaritë për ngjarje të javës

    Insajderi
    26 March 2023 - 10:28
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    S’i ka as dy ditë që shkelën aktin më të lartë juridik të shtetit, por Ministrisë së Drejtësisë aq i bëhet. Në publikimet e përjavshme “Java në Ministrinë e Drejtësisë” figurojnë katër ngjarje, por jo edhe ajo e shkeljes së Kushtetutës, shkruan Insajderi.

    Gjykata Kushtetuese e shpalli të pavlefshme në tërësinë e saj Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, gjë që ngjalli indinjatë të thellë te Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila hodhi vrerin e saj ndaj këtij institucioni, duke thënë se vendosën interesin e disa anëtarëve të KPK-së para atij të përgjithshëm.

    Ndonëse selektiv në vendimet të cilat ia duartrokasin Gjykatës Kushtetuese, si aktvendimin për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe (në të cilën thirren vazhdimisht për të kontestuar legalitetin e saj) ose rrëzimin e qeverisë Hoti që parapriu zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit, Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje pati shumëçka për ta akuzuar GJK-në.

    “Është paradoksale se në pikën e parë të njoftimit, Kushtetuesja konstaton se përbërja aktuale e KPK-së është korporatiste, por në pikën e fundit thotë se nuk mund t’u ndërpritet mandati anëtarëve përmes shortit siç e kemi paraparë ne. Për Kushtetuesen më i rëndësishëm është interesi individual i anëtarëve të KPK-së dhe jo i të gjithëve, por vetëm disa prej tyre, sesa interesi i përgjithshëm, sesa ndalimi i korporatizmit në një institucion të rëndësishëm për qytetarët, për vetë sistemin e drejtësisë në përgjithësi”, ka thënë ministrja Haxhiu.

    Në korrik të vitit 2022, PDK dhe LDK e kishin dërguar për shqyrtim në GJK ndryshimet që ishin bërë në këtë ligj, pas dyshimeve se ato ishin në kundërshtim me Kushtetutën.

    “Gjykata njëzëri ka vendosur që të (i) deklarojë kërkesat e pranueshme dhe të konstatojë që: (ii) pika 1.3.2 e paragrafit 1 të nenit 6 dhe neni 8, përkatësisht neni 10/A i Ligjit të kontestuar, nuk janë në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], paragrafin 10 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit] dhe nenin 132 [Roli dhe Kompetencat e Avokatit të Popullit] të Kushtetutës; (iii) paragrafi 2/a i nenit 13 të Ligjit të kontestuar nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit] dhe paragrafin 1 të nenit 110 [Këshilli Prokurorial i Kosovës] të Kushtetutës; (iv) paragrafi 5 i nenit 16 të Ligjit të kontestuar nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 24 [Barazia para Ligjit] të Kushtetutës; (v) neni 18, përkatësisht 23/A i Ligjit të kontestuar nuk është në përputhshmëri me nenet 32 [E Drejta për Mjete Juridike] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës; (vi) paragrafi 3 i nenit 11 dhe neni 20 i Ligjit të kontestuar nuk janë në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], nenin 32 [E Drejta për Mjete Juridike], nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] dhe paragrafin 1 të nenit 110 [Këshilli Prokurorial i Kosovës] të Kushtetutës; dhe (vii) të shpallë të pavlefshëm, në tërësinë e tij, Ligjin nr.08/L-136 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark