
Një denoncim i një ish-punonjësi të kompanisë “Postman” (i cili është në pronësi të familjarit të politikanit Eman Rrahmani, Albion Rrahmanit) ka ardhur në adresën e redaksisë së Insajderit. Ish-punonjësi me inicialet E.A (emër i ndryshuar, i njohur për redaksinë) ka dërguar kërkesë hetim dhe padi pranë Prokurorisë për largim të padrejtë nga puna, mos-ekzekutim të pagës, presion për pjesëmarrje në aktivitete politike gjatë orarit të punës dhe praktika të dyshimta fiskale. Gazeta Insajderi ju sjell detaje:
E.A. pretendon se është përballur me trajtim të padrejtë dhe akuzime të pabaza përgjatë kohës sa ka qenë i angazhuar si korier në kompaninë për shërbime postare “Postman”. Pos tjerash, thotë se u largua nga puna nën pretendimin se është “hajn”.
“Gjatë periudhës së punës, paditësi ka mbuluar me të hyrat e ulëta të paguara nga firma shpenzime të rënda jetese si: qira (200 euro në muaj), shpenzime të rrymēs, ujit, internetit, si dhe pagesën e kredive të nevojshme për jetesë normale. Tatimet dhe kontributet e tjera kanë qenë përgjegjësi e paditësit, duke rënduar më tej barrën financiare”, thuhet ndër të tjera në letrën që E.A. ka dorëzuar në adresë të redaksisë.
Në këtë letër, ai pretendon se janë detyruar të mbajnë shumë të mëdha parash në vetura, duke iu ekspozuar rrezikut për vjedhje. Sipas tij, në rast të mos-dorëzimit të një porosie përbrenda afateve “të vendosura në mënyrë arbitrare”.
“Presioni i ushtruar mbi paditësin ka qenë i jashtëzakonshëm: nëse e refuzonte një porosi, i shkruhej minus në llogari; nëse e mbante në pritje, përsëri dënohej. Procedura të tilla kanë shkaktuar ankth dhe stres të madh emocional”, thuhet ndër të tjera në letrën e E.A., dorëzuar Gazetës Insajderi.
Ai ka bashkëngjitur edhe fotografi në formë dëshmish që tregojnë bartjen e porosive të shumave të mëdha përbrenda ditës:
E.A. ankohet edhe se përgjatë orarit të punës, ai dhe kolegët e tij detyroheshin që të merrnin pjesë në fushatë elektorale të subjektit politik “Lista për Familjen”, ku ishte kandidat për deputet Eman Rrahmani, i cili është familjar i pronarit të kompanisë.
Madje, ai në adresë të Gazetës Insajderi ka dërguar edhe një video pranë një objekti fetar, ku shihet duke shpërndarë fletushka në mbështetje të Rrahmanit dhe subjektit politik “Lista për Familjen“.
E.A. ka bërë të ditur se për të gjitha këto pretendime iu është drejtuar Prokurorisë përmes një kërkese për hetim dhe një padie.
Gazeta Insajderi ka kontaktuar edhe firmën “Postman” për ta pyetur lidhur me pretendimet e ish-punonjësit të kompanisë, të cilët i kanë quajtur si “të pabaza” dhe “tendencioze”.
“Në lidhje me pretendimet e përmendura, i konsiderojmë ato të pabaza dhe tendencioze. Postman operon në përputhje të plotë me ligjet dhe rregulloret në fuqi, dhe i respekton të gjitha të drejtat e punëtorëve kjo është vërtetuar nga raportet e vizitave të vazhdueshme të Inspektoriatit të punës”, ka thënë Naim Spahiu, përfaqësuesi i autorizuar i firmës “Postman” në një prononcim për Insajderin.
E.A. e ka përfshirë si pjesë të padisë edhe Eman Rrahmanin. Për këtë, Insajderi ka pyetur përfaqësuesin ligjor të firmës për ta kuptuar nëse Rrahmani është aksionar i kompanisë, por i njëjti e ka mohuar një gjë të tillë.
“Sa i përket Z. Eman Rrahmanit, ai nuk ka asnjë funksion në kompaninë Postman dhe nuk është përfaqësues i saj. Përfaqësuesi ligjor i kompanisë është personi i regjistruar zyrtarisht në ARBK”, deklaron Spahiu.
“Së fundmi, nuk kemi qenë më herët të informuar për padinë në fjalë. Megjithatë, ne inkurajojmë të gjithë punëtorët që të shfrytëzojnë rrugët ligjore për çdo pretendim që mund të kenë”, përfundon ai.
Proteinat pa dokumente
Gazeta Insajderi në nëntor të 2023-ës kishte raportuar se si Policia e Kosovës kishte ndaluar postierët e “Postman” për mallra që dyshohet të kenë qenë të kontrabanduara. Njësia e Task Forcës aty kishte kapur mall me vlerë prej 18 mijë euro.
Përfaqësuesi juridik i kompanisë, Naim Spahiu i kishte thënë Gazetës Insajderi se mallrat nuk janë të kompanisë dhe se shërbimi i tyre ka të bëj vetëm me bartje të produkteve nga klientët.
“Nuk ka të bëj me kontrabandë të kompanisë, “Postman Sh.P.K”. Proteinat janë kapur në territor të Kosovës , klientin ynë ka porosit në një vend dhe na si postë kemi shku më e marrë. Kemi vazhdu duke respektu rregullat për tregti dhe ligjin për shërbimet postar. Policia ka kërku dokumentacion shtesë të klientelës dhe kanë konstatuar se nuk i plotëson kushtet duke vazhduar tutje me procedurat”.
Lidhur me rastin kishte njoftuar edhe Policia e Kosovës, ku kishin thënë se Njësia e Task Forcës kishte ndaluar një automjeti në të cilën janë gjetur 43 paketa proteina që dyshohet të jenë kontrabanduar nga rrugët ilegale përmes Republikës së Maqedonisë së Veriut për në Kosovë.
“Me datën 13.11.2023 Njësia e Task Forcës – Lindje gjatë zbatimit të detyrave sipas autorizimeve policore për parandalimin, identifikimin dhe arrestimin e personave të dyshuar kryes të veprave penale, ka ndaluar një automjet të cilin e drejtonte i dyshuari mashkull kosovar me iniciale R. T., tek i cili gjatë kontrollimit të mjetit janë gjetur të ngarkuara 43 paketa me mallra-suplemente (proteina) të llojeve të ndryshme me peshë rreth 210 kg, me vlerë sipas tregut rreth 18.000 euro, mall për të cilin nuk kishte asnjë dokument mbi prejardhjen e tij, i cili dyshohet se ishte kontrabanduar përmes rrugëve ilegale nga RMV-RKS“, thuhej në njoftimin e policisë. /Insajderi.org/