Shkeljet e të drejtave të njeriut nga EULEX-i – Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Shkeljet e të drejtave të njeriut nga EULEX-i

    Insajderi
    29 November 2016 - 20:50
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Në tre raste të trajtuara nga EULEX-i, janë konstatuar nëntë shkelje të të drejtave të njeriut, ka konstatuar Paneli për Shqyrtimin e të Drejtave të Njeriut (PShDNj), organ ky që trajton ankesat bërë në drejtim të misionit më të madh të sundimit të ligjit të BE-së.

    Në njërin nga rastet ku është konstatuar shkelja e të drejtave, ka të bëjë me zhdukjen e një personi, Sylë Sadiku, nga vendbanimi i tij në veri të Mitrovicës.

    Zhdukja e tij kishte ndodhur gjatë një sulmi nga një grup personash të armatosur që besohet se ishin të përkatësisë etnike serbe, me 7 dhjetor 2000.

    Ankuesja në këtë rast, vajza e të zhdukurit, ka akuzuar EULEX-in se nuk e ka trajtuar rastin me seriozitet, duke u vonuar në hapjen e procesit hetimor, si dhe duke anashkaluar faktin se ngjarja ka ndodhur në pjesën veriore të Mitrovicës, si dhe faktin që incidenti me shumë gjasa ishte i motivuar nga urrejtja etnike.

    Në raportin e PShDNJ-së thuhet se duke pasur parasysh rrethanat e çështjes, konstatohet se “përpjekjet hetimore të EULEX-it Kosovë në lidhje me zhdukjen e babait të ankueses, ishin të pamjaftueshme”.

    Në këtë mënyrë – thuhet në raport – kjo ka rezultuar me shkelje të të drejtave të njeriut, përfshirë këtu të drejtën për zgjidhje efektive të rastit.

    Në një rast tjetër, një person ka akuzuar një prokuror të EULEX-it se e ka ekspozuar atë dhe familjen e tij “ndaj rrezikut për jetën dhe sigurisë fizike”.

    Gjithçka kishte filluar më 4 korrik të vitit 2014 kur një prokuror i EULEX-it kishte ngritur aktakuzë ndaj një personi me iniciale N.K.

    Prokurori akuzonte atë për krim të organizuar, vrasje të rëndë dhe kundërvajtje të ndryshme për drogë.

    Por, në aktakuzën ndaj tij ishte përmendur edhe emri i ankuesit të këtij rasti. Më konkretisht, në aktakuzë thuhej se N.K. “në bashkëkryerje” me ankuesin dhe disa persona të tjerë ka organizuar dhe udhëhequr një grup të organizuar, duke e ditur se pjesëmarrja e tij do të kontribuojë në kryerjen e krimeve të rënda të vrasjes së rëndë të shefit të bandës rivale.

    Ankuesi pretendon se nuk ishte informuar zyrtarisht lidhur me rastin.

    “Ankuesi ka shtuar se, duke shkelur nenit 6 (3) të Konventës, ai nuk ishte informuar zyrtarisht rreth shkakut dhe natyrës së akuzave ndaj tij, pavarësisht se ishte efektivisht i akuzuar për vrasje. Për më tepër, ishte pohuar se ankuesi ishte përgjegjës për vrasje, mirëpo atij i ishte mohuar e drejta e vet për të pasur qasje në drejtësi, për të mbrojtur veten dhe për të ushtruar të drejtat e tij”, thuhet në raportin e PShDNj-së.

    Ankuesi më tej ka pohuar se veprimet e prokurorit të EULEX-it kanë përbërë shkelje të së drejtës së tij për jetën private, e cila përfshinte reputacionin e tij.

    “Në mënyrë të veçantë, ankuesi ka pohuar se aktakuza ishte e mbushur me sulme personale të rëndësisë së madhe, siç është dëmtimi i integritetit të tij personal. Prandaj EULEX-i ishte dyshuar se ka shkelur nenin 8(1) të Konventës: “Çdo njeri ka të drejtë në respektimin e jetës së tij private dhe familjare, shtëpisë dhe korrespondencës së tij”, thuhet në raport.

    Paneli ka vërtetuar ankesat e tij, duke konstatuar se EULEX-i “ka shkelur të drejtat e ankuesit të garantuara me nenin 8 të Konventës, përkatësisht të drejtën e tij për jetën private, e cila përfshinte reputacionin e tij.”

    Në lëndën e tretë ku është konstatuar numri më i madh i shkeljeve ka të bëjë me vrasjen, dhe në disa raste me zhdukjet, e personave të përkatësisë etnike serbe që kanë ndodhur në Kosovë mes 16 qershorit 1999 dhe 11 marsit 2000.

    Lidhur me këto krime të mundshme të kryera ka pasur shtatë ankues,të gjithë të përkatësisë entike serbe, dhe për këtë arsye Paneli ka vendosur që të bëjë “bashkimin formal” të lëndëve, marrë parasysh “ngjashmëritë e konsiderueshme që ekzistojnë mes çështjeve të ngritura.”

    Edhe në këtë rast paneli ka konstatuar ndër tjerash se EULEX nuk ka bërë përpjekje hetime të mjaftueshme dhe se për këtë ka rezultuar me shkleje të të drejtave të njeriut./Insajderi.com


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark