Rikthimi te Milani nuk pati rezultatin e duhur te sulmuesi italian Mario Balotelli, që e mbylli sezonin 2015-2016 me një gol në 20 ndeshje në Serinë A.
Ky ishte një tjetër sezon zhgënjyes, madje i dështuar për sulmuesin me ngjyrë, që prej disa vitesh nuk po gjen formën e dikurshme. Një dështim që ka bërë që vlera e tij në treg të ulet në nivele të paimagjinueshme edhe pse është vetëm 25 vjeç.
Sot ai nuk e di ende se me cilën skuadër do të luajë vitin tjetër, madje Liverpool, që ka edhe kartonin e sulmuesit, po mendon të zgjidhë në mënyrë konsensuale kontratën me të. Kjo do të ishte një hap pas për Balotelli, që ka një histori me ulje-ngritje.
Në korrik të vitit 2010, kur Balotelli ishte vetëm 20 vjeç, kalonte nga Inter te Manchester City për gati 30 milionë euro. Më pas, ai rikthehej në Itali, te Milan, por kuqezinjtë derdhën 20 milionë në arkën e britanikëve, njofton telesport.al.
Nga janari i vitit 2014 deri në shkurt të vitit 2015, vlera e kartonit të sulmuesit Mario Balotelli pësoi një rënie drastike, madje u përgjysmua nga 30 në 15 milionë euro (vlerësimi është bërë nga transfermarket).
Ndërsa sot, ende pa një skuadër me të cilën do të luajë sezonin tjetër, vlera e sulmuesit është 10 milionë euro. Madje Liverpool është gati ta shesë për 7 milionë, shumë që ka kërkuar edhe Milani për ta mbajtur. /Insajderi.com