Këshilltari i kryeministrit të Shqipërisë për çështjet e Ballkanit, publicisti kosovar Shkëlzen Maliqi ka thënë se Edi Rama është lideri i cili mund të normalizojë marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë.
Në një intervistë për “Danas” Maliqi ka thënë se kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Isa Mustafa dhe Aleksandar Vuçiq kanë kanal të veçantë të komunikimit në kuadër të dialogut të Brukselit, duke mos e zbuluar kush është ky kanal, por më vonë në intervistën aludohet për Edi Ramën si urëlidhëse mes Prishtinës dhe Beogradit zyrtar.
Në pyetjen se pse zyrtarisht nuk takohen Mustafa dhe Vuçiq në samite të tilla, marrë parasysh problemet që i kanë të dy shtetet në raportet ndërmjet veti, më së shumti se të gjitha shtetet në rajon, Maliqi për “Danas” ka thënë se kjo është pasojë e krizës aktuale.
“Raportet relativisht të ftohta të dy kryeministrave tregojnë se dialogu i Bruskelit momentalisht është në ngërç, nëse jo edhe në krizë… Marrëdhëniet e mira të Ramës dhe Vuçiqit gjithsesi mund të ndihmojnë që dialogu të normalizohet. Marrëveshja për autostradën Nish-Durrës, e cila do ta lidh Serbinë Jugore me Shqipërinë, gjithsesi e përfshinë Kosovën, kurse Kosova është në përparësi, pasi që praktikisht është në përfundim të pjesës së saj të trasesë”, thekson Maliqi.