Ekipet e shpëtimit nuk presin të gjejnë ndonjë person tjetër të gjallë në bllokun e banesave në Londër, i cili u përfshi nga një zjarr masiv, tha Shërbimi i Zjarrfikësve.
Komisionari për Zjarre i Londrës, Dany Cotton, tha se “një numër i panjohur” i njerëzve vazhdon të jetë nën rrënojat e Kullës Grenfell, e cila u dogj të mërkurën.
Autoritetet kanë konfirmuar vdekjen e 17 personave. Mbretëresha Elizabeth tha se lutet për familjet e tyre.
Mbi 30 njerëz të plagosur mbeten në spital – 17 prej të cilëve janë në gjendje kritike. Shkaku i zjarrit, i cili ka zgjatur më shumë se 24 orë për t’u vënë nën kontroll, mbetet i paqartë.
Kryeministrja britanike, Theresa May, ka premtuar hetime të plota të rastit.