Shoqëria civile: Shkresa që riktheu Gjelosh Vatajn në punë u falsifikua - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Shoqëria civile: Shkresa që riktheu Gjelosh Vatajn në punë u falsifikua

    Insajderi
    08 March 2016 - 14:10
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Tri organizata të shoqërisë civile – Instituti GAP, INDEP, dhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike – akuzojnë ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, dhe zyrtarë të tjerë të ministrisë, për ndërhyrje politike në caktimin e bordit të Kompanisë së Ujësjellësit Rajonal Prishtina.

    Përmes një letre publike, këto organizata sqarojnë se pas shkarkimit të Gjelosh Vataj nga pozita e kryeshefit të kësaj kompanie, ka qenë presioni i ministrit Stavileci që ka kthyer atë në punë.

    Për më tepër, këto organizata thonë se shkresa e cila e ka kthyer Vatajn në punë ka qenë i falsifikuar.

    Sipas tyre, në të njëjtën ditë të marrjes së vendimit nga Bordi i KUR “Prishtina”, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, në emër të ish-udhëheqësit të Njësisë për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike Ramadan Sejdiu, i kishte dërguar letër bordit që të rikthej vendimin, pa marr parasysh arsyetimet e bordit për shkarkim.

    Letra e dërguar në emër të z.Sejdiu, i cili në atë kohë ndodhej në vizitë zyrtare në Japoni, ishte nënshkruar nga punonjësja e NJPMNP Flutura Shala.

    “Mirëpo, pas kontakteve që organizatat tona kanë pasur me z.Sejdiu, ai e mohon se ka autorizuar dikend të shkruajë një letër të tillë për shfuqizim të vendimit të bordit”, thuhet në letrën publike të këtyre organizatave.

    Këto organizata kanë sqaruar se nga kjo ministri në drejtim të bordit të KUR Prishtina janë dërguar edhe dy letra të tjera, përmes të cilave është bërë presion për rikthimin e Vatajt në punë.

    “Tri letrat e dërguara nga MZHE brenda katër ditësh dhe presioni i vazhdueshëm mbi   bordin e kaluar të KUR “Prishtina”, paraqesin ndërhyrje direkte politike në menaxhimin e kësaj ndërmarrjeje publike.”

    Instituti GAP, Instituti INDEP, dhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike GLPS i bëjnë thirrje Qeverisë së Kosovës që të shkarkojë bordin e KUR “Prishtina”, të shkarkojë zyrtarët e MZHE-së të cilët kanë shkelur Ligjin për Ndërmarrjet Publike, të rikthej vendimet për emërimin e anëtarëve të bordeve.

    Po ashtu, bëjnë thirrje prokurorisë të nisë hetimet  për falsifikim të shkresës që u dërguar në emër të Ramadan Sejdiut./Insajderi.com


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark