×
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Shkulje flokësh e gjak në hundë- Si u keqtrajtua 4-vjeçarja me aftësi të kufizuara nga logopedi në Podujevë

    Insajderi
    14 August 2023 - 12:59
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Besart Sokoli logoped nga Podujeva po dyshohet se ka keqtrajtuar një vajzë 4-vjeçare. Rasti ka ndodhur të shtunën në ordinancën private “Logomedicus”. Sokoli është arrestuar nën dyshimet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj 4-vjeçares të cilës ia ka shkulur flokët dhe lënduar hundën. Viktima është me aftësi të kufizuara. Insajderi sjell detaje.

    N.S (iniciale të ndryshuara nga redaksia) është 4-vjeçarja e cila dyshohet se u keqtrajtua nga logopedi Besart Sokoli në Podujevë.  Ajo kishte filluar të shkonte në seanca në klinikën “Logomedicus” që nga 30 qershori i këtij viti.

    Deri në gjashtë ditët e para gjithçka po shkonte mirë, më pas N.I kishte nisur të refuzonte dhe të qante sa herë merrte rrugën për tek logopedi.

    Babai i viktimës në një prononcim për Gazetën Insajderi ka treguar detajet e ngjarjes. Ai ka thënë se shenja dhune në trupin e fëmijut të tij ishin vërejtur në fund të javës së kaluar.

    “Nga data 30.6 e këtij viti e kemi çu në seancë të logopedi, e ka pas tre herë në javë terminin ka 30 minuta. Në gjashtë ditët e para u shku mirë më pas ka pritu, çdo herë gruaja e ka çu e ka marrë. Ajo më ka tregu se u hy tu kajt e u dal tu kajt. Ditën e enjte gruaja e ka hetu që nuk është në rregull, të premten e ka pa që i ka do shenja dhune por nuk na e ka kap truni që mundet me ndodhë kjo. Të shtunën kur ka hy brenda e ka gjetë çikën tu u ngre përpjet se s’ka guxu as me kajt është vetëm 4 vjeçare. E ka gjet me gjak në hundë dhe flokët e shkulura. I ka thënë logopedit çka m’i ke bo vajzës, ai i ka thënë ‘kam ushtru presion ma shumë se që duhet’”, ka thënë R.S.

    Po ashtu R.S ka bërë të ditur se 4-vjeçarja është me aftësi të kufizuara. Ajo nuk dëgjon mirë dhe ka një implant koklear.

    “Logopedi i ka pranu të gjitha përmes telefonit, nuk e di qysh bëhet ky lloj presioni. Unë e kam thirrë në telefon ai më ka thënë veç më fal, e pyetja a ia bënë këtë gjë fëmiut tënd më tha jo. Unë e kam lajmëru rastin në polici. Vajza është me aftësi të kufizuara e ka problemin që nuk dëgjon është me implant koklear ja kemi ngjitë në fund të dhjetorit e kemi pas në Turqi e kemi operu, me këtë dëgjon, gjithçka kam bërë me të holla të mija. Doktor Dukagjini më ka sugjeru me çu te logopedi nuk e kam prit që kanë me më dal telashe”, ka theksuar prindi i 4-vjeçares. Tutje, ai ka treguar se personalisht nuk është në gjendje të mirë që nga dita e shtunë.

    “Mu çka më ka ndodhë është si me vdek”, përfundoi R.S.

    Pas denoncimit, Besar Sokoli është arrestuar nga policia ndërsa Prokurori i Shtetit ka urdhëruar nisjen e hetimeve ndaj të dyshuarit dhe ndërmarrjen e veprimeve hetimore per zbardhjen e rrethanave të rastit.

    Gjatë dhënies së deklaratës në stacionin policor, Sokoli e ka pranuar se ia ka shkulur flokët vajzës derisa ka qenë duke e trajtuar. /Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark