
Kandidati i PDK-së për kryetar të Lipjanit, Shkuri Buja, ka prezantuar vizionin e tij për zhvillimin e turizmit dhe rekreacionit në komunë, duke e kritikuar qeverisjen aktuale për mosvëmendje ndaj këtij sektori.
“Për 12 vite me radhë, turizmi dhe rekreacioni në komunën tonë kanë mbetur të anashkaluara. Lipjani, me gjithë bukuritë natyrore, është trajtuar vetëm si një pikë tranzitore. Ne kemi një vizion ndryshe: ta kthejmë Lipjanin në një destinacion të mirëfilltë turistik”, ka thënë Buja.
Ai ka prezantuar projektin e Qendrës Rekreacioni pranë Parkut Nacional të Blinajës, një hapësirë prej 3 hektarësh që do të përfshijë tenda luksoze dhe mini-kabina druri, zona pikniku me barbikju, restorant panoramik, amfiteatër natyror për aktivitete kulturore, shtigje për ecje dhe çiklizëm, kënde lojërash për fëmijë, fusha sportive dhe parkingje për vizitorët.
Sipas Bujës, kjo qendër do të shërbejë jo vetëm për banorët e Lipjanit, por edhe për vizitorët e huaj, duke rritur qëndrimin e tyre në komunë dhe promovuar pikat turistike të rajonit.
“Me vizionin tonë, Lipjani nuk do të jetë më thjesht një stacion kalimtar, por një destinacion i gjallë dhe atraktiv për të gjithë. Bashkë, e kthejmë Lipjanin në zemër të turizmit natyror të Kosovës”, shkroi ai.