×
  • Lajme
  • Lajme

    “Shmangni Urën e Ibrit, tensionet janë shtuar”- Britania me paralajmërim për qytetarët e saj që vizitojnë Kosovën

    Insajderi
    05 September 2024 - 10:51
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Mbretëria e Bashkuar i ka këshilluar shtetasit e saj që të mos udhëtojnë në veri të Kosovës, përveç nëse e kanë të domosdoshme.

    Pasi paralajmëron të mos udhëtohet në vende si Rusia, Irani e të tjera, kryesisht për shkak të konflikteve politike dhe shqetësimeve për sigurinë, Zyra e Jashtme, Bashkësisë dhe Zhvillimit e Mbretërisë së Bashkuar (FCDO) e ka futur veriun e Kosovës në pjesën tjetër të listës së vendeve dhe destinacioneve ku nuk rekomandon udhëtime.

    “Kjo për shkak të incidenteve të dhunshme dhe tensioneve të shtuara në këto zona”, thuhet ndër të tjera në paralajmërimin e uebfaqes qeveritare britanike. Përditësimi i fundit është bërë më 29 gusht dhe thuhet se është aktual.

    “Që nga dhjetori 2022 ka pasur përplasje të dhunshme dhe incidente me granata dhe shpërthime automjetesh. Jeni të kujdesshëm dhe shmangni tubimet publike, veçanërisht rreth zonës së Urës së Austerlitzit (Ura kryesore e Ibrit) që e ndan Mitrovicën veriore dhe jugore”.

    Rreziqet tjera

    Mbretëria e Bashkuar paralajmëron edhe për çështjen e terrorizmit, duke iu thënë qytetarëve të saj se “terroristët ka të ngjarë të përpiqen të kryejnë sulme në Kosovë”.

    “Sulmet terroriste mund të jenë pa dallim, përfshirë vendet e vizituara nga shtetas të huaj dhe në tubime të mëdha publike dhe ngjarje kulturore. Terroristët mund të synojnë objekte fetare, duke përfshirë kishat”.

    Në fund, Zyra e Jashtme e MB i këshillon britanikët që t’i mbrojnë gjërat e tyre pasi hajnat “operojnë në aeroporte dhe në transport publik” dhe se ata “synojnë njerëz që ata mendojnë se mund të mbajnë sasi të mëdha parash”. Shtetasve të saj u bën thirrje të marrin masa paraprake për t’u mbrojtur nga krimi i rrugës duke udhëtuar “vetëm me taksi të rezervuar paraprakisht”, “duke mos mbajtur bizhuteri apo orë me dukje të shtrenjtë” dhe që t’i shmangin zonat e izoluara gjatë natës.

    “Kriminelët mund të synojnë automjete me 4 rrota dhe automjete luksoze – ata mund t’i grabisin pasagjerët ose të përpiqen t’ua marrin automjetin. Merrni këshilla nga kompania juaj e akomodimit ose marrjes me qira të automjeteve për rrugë më të sigurta”.

    FCDO paralajmëron se mund të ketë edhe “incidente të izoluara të dhunës së armatosur dhe shpërthime të automjeteve në qytetet kryesore”, por se ato “zakonisht lidhen me krimin e organizuar dhe nuk i synojnë vizitorët”.

    Britanikët paralajmërohen të mos u bëjnë fotografi instalimeve, personelit dhe automjeteve ushtarake ose policore dhe pjesëtarët e komunitetit LGBT+ se “Kosova është ende një shoqëri konservatore dhe skena LGBT+ është më shumë e toleruar sesa e pranuar”.

    Nëse dikush zgjedh të udhëtojë kundër këshillave të FCDO, sigurimi i udhëtimit do t’i bëhet i pavlefshëm dhe mund të ketë mungesë të mbështetjes konsullore në rast të një emergjence jashtë shtetit.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark