Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) i mbështesin hapat e parë për de-eskalim nga ana e Qeverisë së Kosovës.
Kështu ka thënë një zëdhënëse e ambasadës së SHBA-së në Prishtinë për Gazetën Insajderi, duke thënë se bashkë me BE-në kanë pritshmëri të qarta për palën kosovare dhe serbe.
“Ne mirëpresim marrëveshjen e arritur në mes të Përfaqësuesit Special të BE-së dhe Qeverisë së Kosovës për hapat e parë drejt deeskalimit në veri të Kosovës dhe ecjes përpara në zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese të Dialogut”, thuhet në përgjigjen e zëdhënëses së ambasadës së SHBA-së.
“Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja kanë qenë të qarta për pritshmëritë tona nga të dyja palët”.
Ambasada thotë presin nga Kosova dhe Serbia që të ndërmerren hapa të mëtejshëm konkret për të de-përshkallëzuar tensionet, teksa kanë bërë thirrje që të shmangen veprimet përshkallëzuese.
BE-ja dhe Kosova konfirmuan se kanë arritur një marrëveshje për shtensionimin e situatës dhe një një ditë më vonë u prezantuan hapat konkretë: tërheqja e 25 për qind e policisë nga dhe rreth ndërtesave komunale në veri, organizimi i zgjedhjeve të jashtëzakonshme vendore pas verës dhe rikthimi në dialog për normalizimin e marrëdhënieve.
Qeveria ka bërë të ditur se pas verës është zotuar që të mbahen zgjedhjet e reja në veri. /Insajderi.org/