Shndërrimi i Rezidencës së Rugovës në simbol të krimit dhe pazareve  - Insajderi
×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Shndërrimi i Rezidencës së Rugovës në simbol të krimit dhe pazareve 

    Insajderi
    21 July 2017 - 13:06
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Prej vdekjes së ish-presidentit Ibrahim Rugova, në janar të vitit 2006, nga rezidenca e tij u kumtuan dy lajme të rëndësishme. Dy lajme të cilat Rugova nuk do të dëshironte t’i dëgjonte, në të gjallë të tij.

    Derisa në të kaluarën, Rugova dhe rezidenca e tij rrethohej nga mediat duke pritur një lajm të mirë nga konferencat e presidentit, të kundërtën e kanë bërë pasardhësit e tij: Uka dhe Teuta.

    Ishte data 5 shkurt e vitit 2014 kur nga rezidenca Rugova doli lajmi i bujshëm: përmes së cilit tregohej se trashëgimtari i tij, Uka dyshohet se udhëheq një grup të organizuar kriminal. Atëkohë,  Uka dyshohej, e tash akuzohet se ka përfituar para në këmbim të vizave për shqiptarët e varfër, të cilët janë udhëhequr për më shumë se një dekadë nga babai i tij.

    Herën e dytë protagoniste është Teuta Rugova, deputete e zgjedhur përkundër performancës jashtëzakonisht të dobët në legjislaturën e kaluar.

    Për koincidencë sot nga rezidenca e Rugovës u kumtua lajmi se Teuta Rugova u përfshi në një pazar të madh politik. Ajo është pajtuar që të votojë kandidatin për kryeministër të koalicionit PAN, Ramush Haradinajn.

    Për koincidencë zgjodhi ditën e premte. “E premtja e Rugovës”, mbahet mend si dita kur përkrahësit e tij prisnin një lajm të mirë nga ish-presidenti. Pikërisht, në këtë ditë pasardhësja e tij i tregoi shqiptarëve se është deputetja e parë e kontrabanduar nga koalicioni PAN.

    Nuk mungoi edhe një foto e përbashkët, ku të gjithë duken krenar dhe të lumtur për arritjen e pazarit të madh para politik, që parapëlqejnë ta quajnë marrëveshje politike.

    Aty përveç Haradinajt, Teuta Rugovës dhe nënës së saj është edhe Ukë Rugova, i akuzuar për udhëheqje të një bande kriminale.

    Në krah të Ukë Rugovës, është Dardan Gashi. Prania e tij në këtë takim është e çuditshme. Nuk përfaqëson asgjë nga AAK-ja e as nga familja Rugova. Në cilësi të njëjtë me të është edhe Astrit Haraqia. Ai nuk përfaqëson asgjë në këtë mes. Të dy duket se janë sekseret e këtij pazari politik.

    Fotoja e shpërndarë nga Ramush Haradinaj, ku pjesëmarrësit e takimit shfaqin gëzimin e tyre, tregon shumë për familjen Rugova. Nga një familje e nderuar ajo tashmë përbëhet nga pazarxhi, njerëz të akuzuar për krim të organizuar dhe është e miqësuar me sekserë të specializuar të parapolitikës.

    Ajo foto e mbushur me njerëz të dyshimtë të bën të ndihesh keq për 2 mijë e 100 eurot në muaj që merr familja Rugova nga taksat tona.

    Totali vjetor i kësaj shume nuk është i vogël. Janë plotë 25 mijë e 400 euro që Presidenca i jep për familjen e presidentit Ibrahim Rugova.

    Derisa të gjithë ne paguajmë taksa për t’i respektuar anëtarët e familjes Rugova, trashëgimtarët e tij e përbuzin këtë ndihmë. Trashëgimtarët e tij shihet që duan të përfitojnë edhe më shumë nga emri i mirë i prindit të tij. Teutës dhe Ukës shihet që nuk i mjafton vetëm pozita e deputetit e përfituar në krah të emrit të mirë të babait. Duan që të përfitojnë shumë më shumë në krahë të prindit të tyre, duke u përfshirë në pazare të errëta të parapolitikës.

    Shuma mujore prej 2 mijë e 100 eurosh është e madhe për një familje, ku bën pjesë i akuzuari për krim të organizuar dhe deputetja e pazareve, Teuta Rugova.

    Kjo shumë duhet të zvogëlohet. Duhet të jetë e përballueshme për taksat tona dhe e mjaftueshme për të venë e ish-presidentit Rugova. Shuma prej mbi 2 mijë eurosh është luksoze për një familje, e cila nuk e respekton ish-presidentin që e respektojmë ne taksapaguesit.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark