Shoku i Kurtit në studime “furnizohet” me pije alkoolike- Çka pranoi dhuratë zëvendësguvernatori Cakaj? - Insajderi
×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Analiza

    Shoku i Kurtit në studime “furnizohet” me pije alkoolike- Çka pranoi dhuratë zëvendësguvernatori Cakaj?

    Insajderi
    16 June 2025 - 18:47
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Zëvendësguvernatori për mbikëqyrje financiare, Milot Cakaj, njëherësh edhe shok i studimeve të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se çfarë ka pranuar për dhurata përgjatë vitit që shkoi.

    Gazeta Insajderi ka arritur ta sigurojë përmes qasjes në dokumente publike regjistrin e deklaruar nga Cakaj për dhuratat e pranuar më 2024-ën. Në mesin e dhuratave që spikaten më së shumti tek Cakaj janë pijet alkoolike.

    Ai i ka të deklaruara si dhurata 10 verëra dhe një raki që ka pranuar si dhuratë.

    Në mesin e dhuruesve, përveç institucione financiare dhe mikrofinanciare, janë edhe kompanitë e sigurimeve. Cakajn e kanë “shpërblyer” me dhurata “Sigal”, “Siguria”, “Eurosig” e “Scardian”.

    Madje, kompania e sigurimeve “Siguria” ia ka dorëzuar një pjatë punëdore dhe përkrenaren e Skenderbeut.

    Ndërkaq institucioni i Trustit për fundvit ia ka dhuruar Cakajt një punim nga qeramika.

    Ai i ka të deklaruara gjithsej 18 dhurata.

    Çka deklaroi për dhuratë guvernatori?

    Gazeta Insajderi ka arritur të sigurojë regjistrin e dhuratave për guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për vitin 2024. Aty Ismaili ka të deklaruara dhurata për fundvit, të pranuara nga institucione financiare, mikrofinanciare, kompani sigurimesh e zyra diplomatike përfaqësuese të shteteve të huaja në Kosovë.

    Vetëm për këtë vit, Ismaili i ka të deklaruara mbi 20 shishe verë që ka pranuar si pako të fundvitit.

    Dhurata guvernatorit i kanë bërë edhe kompanitë e sigurimeve. Një shishe verë, lapsa kimik dhe fletore me logo të institucionit për fundvit i ka dërguar kompania e sigurimeve “Illyria”. Dhuratë të njëjtë i ka bërë edhe “Eurosig” e “Sigma”.

    Ndërkaq kompania e sigurimeve “Siguria” ia ka dhuruar Ismailit një helmetë nga qeramika, vlerën e së cilës numri një i BQK’së s’e ka bërë të ditur.

    Në një vizitë për rastin e një emërimi, kompania e sigurimeve “Sigal” e ka shpërblyer guvernatorin me një veshje tradicionale arbreshe nga Italia.

    Ismaili ka pranuar edhe monedha të argjendit nga institucione e homologë të tij në vlerë nga 10 deri në 30 euro.

    Gazeta Insajderi ka marrë vesh përmes burimeve të saja se dhuratë Ismaili në janar të këtij viti ka pranuar nga një autosallon, dhuratë kjo që pritet ta supozojë në formularin për vitin e ardhshëm.

    Nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit për Insajderin kanë bërë të ditur se përgjatë këtij muaji do të finalizojë katalogët vjetorë të dhuratave të raportuara nga institucionet publike për vitin 2024.

    Shoku i studimeve të Kurtit, pozita kontestuese e zëvendësguvernatorit

    Në konkursin e parë të hapur për zëvendësguvernator vitin e kaluar, Banka Qëndrore e Kosovës (BQK) specifikonte se kandidati do duhej të ishte i diplomuar nga fusha e financave. Megjithatë, procesi i rekrutimit dështoi. Vetë guvernatori i BQK’së, Ahmet Ismaili, tha se s’kishte kandidatë të denjë për këtë pozitë. Por, në konkursin e dytë që ia mundësoi Cakajt emërimin, kërkohej vetëm diploma universitare, pa specifikuar se në cilën fushë.

    Guvernatori i BQK’së kur u pyet për kriteret e përcaktuara për kushtet e përgjithshme lidhur me konkursin, tha se është në përputhje me Ligjin për BQK’në. Megjithatë, tek kushtet specifike (bazuar nga konkurset e mëparshme) specifikohet edhe përvoja menaxheriale si përparësi.

    Insajderi ishte interesuar për ta kuptuar përvojën menaxheriale të Cakajt.

    Në një CV të Cakajt cilën e ka publikuar para disa javësh mediumi, specifikohet se angazhimin më të gjatë e ka në ‘Raiffeisen Bank’. Insajderi ka kontaktuar Zyrën për Komunikim të kësaj banke për ta pyetur nëse pozitat që Cakaj ka mbajtur kanë qenë të peshës menaxheriale. Ata e kanë mohuar që Cakaj ka bartur ndonjëherë pozitën e menaxherit.

    “Mund të konfirmojmë se z. Milot Cakaj ka qenë i punësuar në Bankën Raiffeisen në Kosovë dhe ka mbajtur pozita të ndryshme në bankë. Sidoqoftë, asnjëra nga pozitat nuk kanë qenë menaxheriale në kuptimin e menaxhimit direkt të stafit”, thuhet në përgjigjen e ‘Raiffeisen Bank’ për Insajderin.

    Në CV-në e tij, Cakaj shkruan se ishte duke punuar në Raiffeisen Bank gjatë kohës sa kishte aplikuar për zëvendësguvernator. Nga Raiffeisen Bank dhe nga BQK’ja kanë konfirmuar që Cakaj është larguar nga pozita, sapo ka marrë pozitën e re.

    “Lidhur me pyetjen për zëvendësguvernatorin Milot Cakaj në lidhje me punën te cilën e ka ushtruar në Raiffeisen Bank, ato informacione për përvojën e punës së tije kanë qenë kur ka apliku për zëvendësguvernator, me zgjedhjen e tije si zëvendësguvernator, ju informoj se nuk e ushtron asnjë funksion në Raiffeisen Bank”, kanë sqaruar nga BQK’ja.

    Po ashtu, në CV thuhet se Cakaj ka qenë edhe drejtor menaxhues në ‘Cacttuss Business Solutions’. Mediumi iu është drejtuar me pyetje për ta verifikuar një gjë të tillë, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk ka marrë ndonjë përgjigje.

    Insajderi në kërkesën për qasje në dokumente publike drejtuar BQK’së, përveç CV-së së kandidatëve, ka kërkuar edhe rezultatet e pikëve të testit dhe intervistimit me gojë nga ana e komisionit britanik. Ata s’kanë dhënë ndonjë përgjigje e as sqarim nëse ndonjë komision britanik ka monitoruar procesin e rekrutimit të dy zëvendësguvernatorëve.

    Për këtë, Gazeta iu është drejtuar vetë ambasadës së Britanisë së Madhe në Kosovë, për ta pyetur nëse kanë qenë pjesëmarrës. Një zëdhënës i kësaj ambasade kanë thënë se as s’e mbështesin e as s’kanë marrë pjesë në procesin e rekrutimit, ku u përzgjedh dosti i Kurtit zëvendësguvernator.

    “Ne përmes projektit “Rekrutimi” nuk jemi angazhuar në procesin e rekrutimit të dy zëvendësguvernatorëve. Megjithatë, ne inkurajojmë të gjitha institucionet që të drejtojnë proceset e rekrutimit bazuar në meritë dhe transparencë”, deklaroi një zëdhënës i ambasadës për Insajderin.

    “Ne nuk e mbështetëm këtë proces. Megjithatë, ne do të dëshironim që institucionet të drejtonin proceset e rekrutimit bazuar në parime të hapura, transparente dhe meritokratike”. /Insajderi.org/


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark