Shoqata e Naftëtarëve nuk pajtohen me Qeverinë për caktimin e çmimeve me shumicë dhe pakicë të derivateve të naftës - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Shoqata e Naftëtarëve nuk pajtohen me Qeverinë për caktimin e çmimeve me shumicë dhe pakicë të derivateve të naftës

    Insajderi
    02 March 2022 - 17:23
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës nuk janë duke u pajtuar me vendimin e Qeverisë së Kosovës për caktimin e çmimeve shitëse maksimale tregtare me shumicë dhe pakicë të derivateve të naftës.

    Qeveria e Kosovës më 2 shkurt, me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve nga lëvizjet e mëdha të çmimeve dhe eliminimit të çrregullimeve në treg me naftë dhe derivate të naftës, ka caktuar marzhën tregtare.

    Ky vendim përcakton që te shitësit me shumicë, marzha më e lartë tregtare të jetë deri në 4 për qind të çmimit të shitjes, ndërkaq te shitësit me pakicë marzha më e lartë deri në 6 për qind.

    Vendimi i Qeverisë hyn në fuqi më 3 mars dhe do të jetë në fuqi deri më 31 maj 2022.

    Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, thotë për Radion Evropa e Lirë se ky vendim vë në rrezik mbijetesën e bizneseve në këtë sektor.

    “Vendimi i Qeverisë nuk është adekuat nuk është i përshtatshëm për bizneset. Një pikë karburanti nuk mund t’i mbijetojë krizës. Ne e kuptojmë se çfarë situate ekonomike është në Kosovë”, thotë Berjani.

    “Çmimet e derivateve janë të larta për qytetarët, por kjo është duke ndodhur në tërë botën”, shton ai.

    Ai kërkon që së paku te shitësit me pakicë, marzha tregtare të jetë më e lartë.

    “Nga 6 centë duhet të rritet në 12 centë, në të kundërtën bizneset në këtë sektor nuk mund të mbijetojnë”, thotë Berjani.

    Rritja e çmimeve të naftës dhe benzinës në Kosovë ka shënuar nivelin më të lartë në 20 vjetët e fundit.

    Kompanitë që furnizojnë me naftë në Kosovë, më 1 mars këtë derivat me shumicë, thotë Berjani, e kanë blerë me 1.33 euro për litër.

    “Brenda ditëve ky çmim do të rritet edhe më shumë”, thotë Berjani.

    Më 2 mars, në Kosovë një litër naftë është shitur për 1.43 euro, ndërkaq benzina për 1.44 euro.

    Me vendimin e Qeverisë së Kosovës po ashtu obligohen të gjitha depozitat dhe pikat e shitjes së naftës të mbajnë në çdo kohë në stoqe së paku 5 për qind të kapaciteteve të tyre deponuese, për qëllime të rezervave emergjente.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark