
Shoqata e Prokurorëve të Kosovës ka reaguar me shqetësim ndaj deklaratave publike të përfaqësuesve të subjektit politik Guxo dhe disa zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës, pas zhvillimeve lidhur me hetimet ndaj ministrit në detyrë, Faton Peci, dhe intervistimit të tij nga Prokuroria Speciale.
Në reagimin zyrtar, Shoqata e cilëson si të papranueshme gjuhën denigruese dhe akuzat publike të drejtuara ndaj Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, dhe prokurorit të çështjes, Admir Shala.
“Prokurorët e Republikës së Kosovës, përfshirë edhe ata të Prokurorisë Speciale, veprojnë në përputhje të plotë me Kushtetutën, ligjet në fuqi dhe provat që rezultojnë nga hetimet. Akuzat politike, tentativat për diskreditim personal dhe përmendja e përkatësive të mëhershme partiake, nuk mund dhe nuk guxojnë të përdoren si mjet për të ndikuar në vendimmarrjen apo integritetin e prokurorëve”, thuhet në reagim.
Shoqata u bën thirrje të gjithë akterëve publikë që të përmbahen nga deklarata që mund të interpretohen si ndërhyrje në punën e drejtësisë dhe të respektojnë pavarësinë institucionale të sistemit prokurorial.
“Shoqata e Prokurorëve të Kosovës do të vazhdojë të jetë garantuese e pavarësisë së secilit prokuror në Republikën e Kosovës, duke mbështetur ata që veprojnë me integritet, profesionalizëm dhe në interes të zbatimit të drejtë të ligjit, pa frikë dhe pa favor”, thuhet në reagim.