
Tri shoqatat në fushën e mjekësisë estetike – Shoqata e Kirurgëve Plastikë të Kosovës, Shoqata e Dermatologëve të Kosovës dhe Shoqata e Kirurgëve Maksilofacialë të Kosovës, kanë reaguar ashpër pas ndryshimit të menjëhershëm të një vendimi të Ministrisë së Shëndetësisë, që përcakton profesionistët e lejuar për të kryer procedura estetike invazive (përfshirë aplikimet me toksinë botulinike dhe fillerë dermalë.
Sipas këtyre shoqatave, Ministria e Shëndetësisë sipas një njoftimi fillestar, këto procedura u kishte kufizuar me të drejtë vetëm për profesionistët e kualifikuar si:
– Kirurgët plastikë
– Dermatologët
– Kirurgët maksilofacialë
– Otorinolaringologët (ORL)
Mirëpo, sipas këtyre profesionistëve shëndetësor brenda një periudhe shumë të shkurtër — më pak se një orë pas publikimit — vendimi u ndryshua pa asnjë sqarim zyrtar, duke krijuar pasiguri ligjore, profesionale dhe rrezik të drejtpërdrejtë për shëndetin publik.
“Ky veprim është thellësisht shqetësues, pasi në klinikat tona po shtohen rastet e komplikimeve serioze si pasoja të aplikimeve të kryera nga persona pa përgatitje mjekësore dhe pa licencë profesionale”, thuhet mes tjerash në reagim.
Në emër të tri shoqatave profesionale dhe të gjithë anëtarëve të tyre, kërkojnë me urgjencë që: Të sqarohen menjëherë arsyet e tërheqjes ose ndryshimit të vendimit fillestar, të pezullohet zbatimi i vendimit të ndryshuar, derisa të bëhet një rishqyrtim i bazuar në ekspertizë mjekësore, të përfshihen përfaqësues të Shoqatës së Kirurgëve Plastikë, të Dermatologëve dhe të Kirurgëve Maksilofacialë në grupet punuese të Ministrisë së Shëndetësisë për hartimin e rregulloreve dhe udhëzimeve që lidhen me procedurat estetike invazive.
Sipas drejtuesvë të Shoqatave profesionale, këto kërkesa janë të domosdoshme për të parandaluar komplikimet e rënda dhe për të mbrojtur sigurinë e pacientëve, që duhet të jetë prioritet i çdo vendimi institucional.
“Në pritje të një reagimi urgjent dhe transparent nga Ministria e Shëndetësisë, mbetemi të gatshëm të kontribuojmë në mënyrë profesionale dhe bashkëpunuese për zgjidhjen e kësaj çështjeje madhore”, përfundon reagimi i tri Shoqatave.
Shteti dorëzohet para biznesit të botoksit: Një orë pasi nxorri rregulloren, ministria e Vitia e anulon atë
Insajderi ka raportuar se Ministria e Shëndetësisë ka bërë një nga kthesat më të shpejta në historinë e vendimmarrjes. Vetëm një orë ka zgjatur rregullorja që ndalonte kryerjen e procedurave të botoksit dhe fillerave nga persona joprofesionistë. Pas presionit të madh nga grupet e interesit, vendimi u anulua.
Në një email zyrtar, dërguar më 8 tetor 2025, në ora 11:33, Ministria kishte njoftuar se “procedurat mjekësore (mbjellje e flokut, botox, filler) dhe procedura të tjera estetike mund të ofrohen vetëm nga Institucionet e licencuara nga Ministria e Shëndetësisë me këto profile shëndetësore:
Çdo profesionist apo institucion që nuk ka të licencuar profesionistët e lartcekur nuk i lejohet ofrimi i këtyre procedurave mjekësore.”
Mirëpo, vetëm disa orë më vonë, Ministria u tërhoq.
Në një tjetër komunikim zyrtar, në orën 16:27 të së njëjtës ditë, thuhej se vendimi i mëparshëm duhej injoruar dhe se çështja do të adresohej përmes projektligjit të ri për shëndetësi.
“Me qëllim të menjanimit të keqkuptimeve eventuale ju lutem injoroni email-in e mëhershëm,” thuhet në emailin e dytë, që ka siguruar Insajderi.
Ky ndryshim i menjëhershëm brenda ditës, sipas burimeve të sektorit shëndetësor, tregon qartë se Ministria është tërhequr nën presionin e fuqishëm të biznesit multi-milionësh të estetikës, i cili operon prej vitesh pa kontroll.
Ndërkohë, qytetarët mbeten të ekspozuar ndaj rreziqeve të trajtimeve joprofesionale – nga infeksionet e deri tek komplikimet që dëmtojnë rëndë shëndetin.
Në fund, shteti u dorëzua. Dhe përmbajtja e vendimit për botoks e fillera ndryshoi po aq shpejt sa një injeksion estetik – në më pak se një orë.