
Për rastin e vdekjes së dy fëmijëve në lagjen Kolovica në Prishtinë nuk mjafton vetëm një dorëheqje, por duhet të kërkohet përgjegjësi penale për fajtorët. Kështu kanë thënë sot një grup prej 21 organizatave të shoqërisë civile, përmes një komunikate të përbashkët.
Sipas këtyre organizatave të shoqërisë civile, përgjegjëse për fatkeqësinë e ndodhur para gjashtë ditësh në Kolovicë, janë Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Komuna e Prishtinës.
“Komuna e Prishtinës bashkë me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor kanë përgjegjësi për ndërtimet dhe operimet në territorin ku ka ndodhur fatkeqësia. Me të njëjtin ritëm me të cilin kërkojnë pagesën e taksave dhe tatimeve përkatëse, këto institucione kanë obligim ligjor që të sigurojnë ligjshmërinë e operimit të secilit operator ekonomik dhe të parandalojnë veprimet e papërgjegjshme të cilat rrezikojnë shëndetin dhe jetën e qytetarëve”, thuhet në reagimin e tyre.
Ata thonë se dorëheqja e drejtorit të inspektoratit të Prishtinës nuk është e mjaftueshme në këtë rast, njofton Insajderi.
“Dorëheqja e drejtorit të inspektoratit të Prishtinës duhet parë si përgjegjësi dhe parim mbi të cilin çdo zyrtar duhet të veprojë në raste të ngjashme. Megjithatë, kjo nuk është e mjaftueshme. Për rastin Kolovica duhet të kërkohet përgjegjësi penale për fajtorët”, thonë organizatat e shoqërisë civile.
Organizatat e shoqërisë civile kërkojnë nga Komuna e Prishtinës dhe gjitha komunat e tjera, si dhe institucionet qendrore që të koordinohen në mes vete, në mënyrë që të parandalohen tragjedi të tilla në të ardhmen. /Insajderi.com