×
  • Lajme
  • Analiza

    Shoqërohej me vëllain e Thaçit, Remit dhe biznesmenin e dënuar – Kush është zyrtari Buleshkaj që u suspendua për rastin Dehari?

    Insajderi
    22 September 2022 - 15:24
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Burim Buleshkaj, të mërkuren u suspendua nga detyra si udhëheqës për Administratë në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, bashkë edhe me zyrtarin Korrektues, Destan Zogaj, lidhur me dyshimet për shkelje të rëndë në rastin vdekjes së Astrit Deharit në qendrën e paraburgimit në Prizren. Kjo erdhi disa ditë pasi ministrja Albulena Haxhiu, prezantoi gjetjet e një raporti të inspektimit lidhur me rastin. Kishte përmendur edhe Buleshkajn e zyrtarë tjerë të qendrës për shkelje.

    Kush është Burim Buleshkaj, zyrtari i shërbimit korrektues që në kohë pandemie theu masat e vendosura nga qeveria, e u shoqërua nga vëllain e Hashim Thaçit, komandan Remit dhe një  biznesmen të dënuar.

    Me 12 shtator Ministrja e Drejtëisë, Albulena Haxhiu doli në konferencën për media për të prezantuar një raport me gjetje të inspektorëve të kësaj ministrie lidhur me rastin e vdekjes së Astrit Deharit, në qendrën e paraburgimit në Prizren në vitin 2016.

    Haxhiu tha se janë konstatuar shkelje të legjislacionit nga ana e zyrtarëve korrektues në atë kohë, pasi sipas saj, pamjet e kamerave që qendrën e paraburgimit para se t`i merrte policia i kishin marrë  zyrtarët korrektues dhe kryeinspektori i MD.

    Përmendi me emra zyrtarët që sipas saj ishin identifikuar për shkelje, shkruan Gazeta Insajderi.

    “Marrja dhe posedimi i incizimeve të kamerave me aprovim të ish drejtorit të Qendrës së Paraburgimit në Prizren, Destan Zogaj tek zyrtarët Ylber Topalli, Burim Buleshkaj dhe anëtarë nga Komisioni i SHKK përben shkelje të legjislacionit penal dhe legjislacionin përkatës për mbrojtjen e të dhënave”, tha ajo.

    “Është e rëndësishme të theksohet se sipas Inspektoratit incizimet e kamerave të sigurisë nga kryeinspektori i MD dhe zyrtarët e SHKK, janë marrë para se ato t’i merrte policia, nga data 5 (kur ka ndodhur rasti) dhe datat 6, 7 nëntor 2016”, tha më tej Haxhiu.

    Haxhiu tha se sipas legjislacionit në fuqi, në rast të ndonjë veprimi me elemente të natyrës penale, autoriteti kompetent për marrjen e incizimeve është policia.

    “Pra është e çuditshme se si zyrtarët korrektues dhe kryeinspektori i MD, kanë marrë kamerat e sigurisë para organeve të ndjekjes”, tha ajo duke kërkuar masa dhe hetime nga prokuroria lidhur me gjetejet.

    Dhjetë ditë pas kësaj, Shërbimi Korrektues i Kosovës njoftoi zyrtarisht se ka suspenduar Burim Buleshlajn e Destan Zogajn.  

    Buleshjak u suspendua nga detyra e udhëheqësit për Administratë në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, i cili në vitin 2016 kur vdiq Dehari, ishte UD. Drejtor i Departamentit për Operativë Siguri dhe Transport të të Burgosurve në SHKK.

    Sipas njoftimit zyrtare të SHKK-së, ndaj dy zyrtarëve është iniciuar procedurë disiplinore për shkelje të rëndë në rastin e ngjarjes së rëndë në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, të vitit 2016.

    “Shërbimi Korrektues i Kosovës njofton opinionin se ka pezulluar nga puna, z. Burim Buleshkaj, ish UD. Drejtor i Departamentit për Operativë Siguri dhe Transport të të Burgosurve në SHKK, aktualisht Udhëheqës për Administratë në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, si dhe z. Destan Zogaj, Zyrtar Korrektues, ish UD-Drejtor në Qendrën e Paraburgimit Prizren. Ndaj tyre është iniciuar procedurë disiplinore për shkelje të rëndë lidhur me veprimet, mosveprimet në rastin e ngjarjes së rëndë në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, të vitit 2016”, thuhet në njoftimin e SHKK-së.

    Nuk është hera e parë që Burim Buleshkaj suspendohet nga detyra.

    Edhe në vitin 2020, kishte shkelur masat e qeverisë kundër covid-19. Atë kohë Burim Buleshkaj, mbante pozitën e ushtruesit të detyrës në burgun e Sigurisë së Lartë.

    Gazeta Insajderi, pati raportuar se si Buleshkaj, nën shoqërinë e vëllait të Presidentit, Nazmi Thaçi si dhe dy personave të dyshuar për lidhje me krimin: biznesmeni Blerim Potera dhe Bedri Mustafa, vëllai i komandant “Remit”, kishin shkelur masat e vendosura nga organet e rendit dhe Qeveria e Kosovës.

    Këto të fundit kishin vendosur për anulimin dhe mosmarrjen pjesë në ahengje apo aktivitete të tjera në mënyrë që të parandalohet përhapja e pandemisë COVID-19.

    Të gjithë këta, bashkë edhe me komandantin e  Njësisë Speciale të Kosovës, Amir Gërguri, ishin mbledhur rreth një tryeze qejfi me ushqim e birra, duke mos hezituar edhe të fotografoheshin gjatë kësaj ndeje. Ahengu ishte mbajtur në Shalën e Bajgorës, kishte mësuar Gazeta Insajderi.

    Menjëherë pas raportimit të Gazetës Insajderi, ministrja Albulena Haxhiu pati paralajmëruar masa. E një ditë pas raportimit u mor vendimin për suspendimin e Buleshkajt dhe Gërgurit, për një muaj. /Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark