
Kryeministri Albin Kurti ka thënë sot se ka pasur paralajmërim për shpalljen terroriste të organizatave “Mbrojta Civile” dhe “Brigada e Veriut”.
Ai tha se paralajmërimin e ka bërë ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, në një konferencë për media, tre ditë para marrjes së vendimit.
Kjo përgjigje e Kurtit erdhi pasi u pyet se a është koordinuar me partnerët ndërkombëtarë për këtë vendim.
“Sa i përket shpalljes së organizatave “Mbrojtja Civile dhe krahut të saj ‘Brigada e Veriut’, terroriste, ishte obligim i yni si Qeveri e Kosovës duke pasur parasysh informacionet që kemi pasur dhe veprimet e organeve tona të sigurisë, si dhe të gjitha të dhënat që i ka pasur edhe inteligjenca e Kosovës. Para se ta shpallim këto organizata terroriste këtë e ka paralajmëruar në një konferencë për media, ministri i punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe vetëm pas disa ditësh ne e kemi bërë shpalljen e tyre, organizata terroriste. Madje ai në konferencë për media ka thënë që do të kërkojë nga Qeveria”
Kurti më tutje tha se koordinohet me partnerët ndërkombëtar, por shtoi se i duhet ta respektojë ligjin dhe Kushtetutën.
“Unë vazhdimit kontaktoj dhe koordinohem me faktorët ndërkombëtar, por mua më duhet patjetër që ta respektojë ligjin dhe kushtetutshmërinë në Kosovë. Informacionin që kemi pasur dhe infrastrukturën tonë ligjore e rendin kushtetues ka qenë obligim një vendim i tillë qeveritar”, tha ai.