Pas shumë kërkesave drejtuar Komunës së Prishtinës në lidhje me renovimin e Teatrit Dodona, tashmë duket se një gjë e tillë do të ndodhë së shpejti. Drejtori i Kulturrës në Prishtinë, Besart Vllahinja, ka njoftuar përmes Facebook-ut se sot është shpalosur plani i detajuar për revitalizimin dhe renovimin e këtij teatri.
Sipas tij, Komuna e Prishtinës e konsideron si prioritet të lartë investimin në objektet kulturore të kryeqytetit.
“Drejtoria e Kulturës e konsideron prioritet të lartë investimin në objektet kulturore të Prishtinës. Në vazhdën e këtij përkushtimi, arkitektët e angazhuar në projektin për renovimin e Teatrit të Qytetit “Dodona” shpalosën planin e detajuar për revitalizim dhe renovim të sallës, skenës dhe hapësirave tjera përcjellëse”, shkruan Vllahinja.
Dodona vazhdon të udhëhiqet nga një ushtrues detyre, por së shpejti pritet hapja e konkursit për drejtorin e ri.