Në një intervistë për emisionin “Ftesë në 5” përballë Bieta Sulos, artisti i njohur Shpat Deda ka folur me sinqeritet për karrierën, albumin e ri dhe përjetimet e tij personale.
Këngëtari ka zbuluar detaje nga albumi muzikor të titulluar “Hajde n’ballon”, duke treguar se çdo element në këtë projekt nga interpretimi, te instrumentistët dhe xhirimi është realizuar plotësisht “live”.
Por pjesa më emocionale e intervistës erdhi kur Shpati, përballë pesë pyetjeve të drejtpërdrejta, hapi zemrën dhe foli për një periudhë të errët të jetës së tij, duke rrëfyer se ka përjetuar depresion.
“Kam kaluar periudha të errëta me vetveten. Më ka rastis të jetoj periudha depresive. Për dikë që e ka përjetuar diçka të tillë, e di se sa e vështirë është ajo, e di shumë mirë, sepse e ndjej shumë.”
Ai shtoi se shumë njerëz i janë afruar duke i treguar se muzika e tij i ka ndihmuar të kalojnë momente të vështira, gjë që e ka prekur thellë.
“Ka njerëz që më thonë që kam qenë në një fazë të tillë dhe muzika jote më ka ndihmuar shumë. Kjo më ka prekur shumë, sepse e kam përjetuar vetë dhe e di çfarë do të thotë.”
Në fund, artisti u shpreh se shpëtimin e ka gjetur te vetëdija se gjithçka në jetë është e përkohshme:
“Unë shpëtimin e kam gjetur te fakti se çdo gjë është e përkohshme në jetë dhe do të kalojë,” tha Deda i emocionuar.