
Policia në Ferizaj ka njoftuar se ka ndërmarrë masa ndaj dy shoferëve për shkelje të rënda të rregullave të trafikut.
Njëri nga shoferët është kapur duke drejtuar automjetin ndonëse ishte nën masën mbrojtëse që ia ndalon këtë veprim. Ai është ndëshkuar me një gjobë prej 500 eurosh, i janë shqiptuar 5 pikë negative, është vendosur masa mbrojtëse për 6 muaj të tjerë dhe automjeti i është konfiskuar.
“Rreth orës 04:15, në rrugën magjistrale Ferizaj–Prishtinë, afër pikës së karburantit ‘Hib Petrol’, është ndaluar një veturë Volkswagen Passat me targa vendore. Gjatë kontrollit është konstatuar se shoferi A.A. (28 vjeç) po drejtonte automjetin ndonëse ishte nën masën mbrojtëse që ndalon drejtimin e mjetit motorik nga data 28.06.2025 deri më 27.09.2025.”
Rasti tjetër ka ndodhur në fshatin Babush, ku një shofer tjetër ka tejkaluar ndjeshëm kufirin e shpejtësisë.
“Rreth orës 05:30, është ndaluar një veturë Audi me targa të huaja. Shoferja S.N. (33 vjeçe), shtetase e huaj, po drejtonte automjetin me 128 km/h në një zonë me kufizim prej 50 km/h. Shpejtësia është matur përmes veturës inteligjente të policisë.”
Për këtë shkelje, shoferja është gjobitur me një gjobë të dyfishuar prej 600 eurosh.
Policia apelon për respektim të rregullave të trafikut dhe paralajmëron se kontrollet do të vazhdojnë me intensitet të shtuar.