Komuna e udhëhequr nga Shpejtim Bulliqi po vazhdon t’i jap tenderë kompanisë së afërt me pushtetin e VV’së. Kjo komunë ka nënshkruar kontratë afro 400 mijë euro për ndërtimin e një ‘salle sportive në një shkollë’. Kompania fituese e tenderit është në pronësinë e Eljesah Podvoricës, person i afërt me Vetëvendosjen. Kjo kompani është zgjedhur fituese me çmimin më të lartë në mesin e kompanive garuese, madje edhe duke e tejkaluar vlerën parashikuese për afro 144 mijë euro. Insajderi ju sjell detaje.
Gazeta Insajderi
Komuna e Podujevës ka dhënë kontratën për “Ndërtimin e sallës së brendshme sportive në shkollën Ali Ajeti në Sfeçël”.
Në këtë tender kanë aplikuar tre operatorë ekonomik. Vlera e parashikuar e kontratës ishte 230.000 euro.
Ndërkohë që me datën 8 tetor, komuna e ka zgjedhur kompaninë fituese për këtë tender.
Tri kompani kishin garuar për tenderin “Ndërtimin e sallës së brendshme sportive në shkollën Ali Ajeti në Sfeçël”.
Ka qenë “Konstruktori Ing 1969 shpk -Prishtinë me çmim 292.999.19 euro.
“Arad 94 shpk-Prishtinë”, me çmim 294.940.78 euro
“Eing Com -shpk Dumosh Podujevë, me çmim 373.787 euro.
Dhe komuna e Podujevës e ka shpërblyer me kontratë operatorin ekonomik: Eing Com shpk me vlerë 373.787 euro.
Si kriter i dhënies së tenderit ka qenë operatori me çmimin më të ulët. Ndërkohë që kompania fituese për këtë tender, është afro 90 mijë euro me çmim më të lartë se OE garuese.
Madje është tejkaluar edhe vlera parashikuese për afro 144 mijë euro.
Kompania fituese e këtij tenderi Eing Com shpk Dumosh Podujevë, është në pronësi të Eljesah Podvorica person i afërt me pushtetin.
Gazeta Insajderi ka raportuar disa herë, lidhur me tenderët që kompania e Podvoricës është zgjedhur fituese nga komuna e Podujevës.
Eljesah Podvorica, jo rrallë herë është parë në shoqërinë e njerëzve të Lëvizjes Vetëvendosje.
Në vitin 2021, deputeti i LVV-së, Sali Zyba dhe pronari, Eljesah Podvorica ishin së bashku në një vizitë në Therandë.
Dyshja shihen në një fotografi në shoqëri edhe të disa personave për rreth.
Podvorica, gjithashtu në vitin 2019 ishte parë në shoqërinë e deputetit të VV-së, Nijazi Isakut.
“Në kafe me tre luftëtarët e lirisë. UÇK-së”, shkruhej në postim.
Vlen të theksohet se kjo nuk është hera e parë që Bulliqi i shpërblen me tenderë dostat e tij./Insajderi.org/