Në reagim ndaj Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KLMDNJ) rreth pastrimit të borës në Komunën e Prishtinës, kryetari Shpend Ahmeti, e ka gjetur vetën në kritikat e qytetarëve rreth po asaj teme.
Pas reshjeve të mbrëmshme të borës edhe aksidentet në trafik janë shtuar në kryeqytet. Siç ka njoftuar sot Policia e Kosovës, deri rreth orës 10:00 ishin shkaktuar mbi 40 aksidente në rrugët e Prishtinës.
Mbi 40 aksidente si pasojë e borës në Prishtinë
KLMDNJ kishte reaguar sot për vështirësit e lëvizjes së mjeteve që janë shkaktuar në rrugët e kryeqytetit, për shkak të reshjeve të borës.
Reagim ky që e la të habitur edhe të liderin e Prishtinës Shpend Ahmeti, i cili përmes një postimi në Facebook tha se “nuk po e komentoj reagimin e KLDMNJ-së”, mirëpo siguroi qytetarët rreth punës së komunës në pastrimin e borës së parë të rënë këtë vit në Prishtinë.
Ai ka thënë se nuk ka pasur shumë telashe në pjesët më të mëdha të qytetit, raporton Insajderi.
“Komuna që një kohë ka bërë gati planin operacional për mirëmbajtjen e rrugëve, dhe sot edhe pas parashikimeve të motit të gjitha kompanitë kanë qenë në gatishmëri edhe pse me sasi të vogla të borës nuk ka pas telashe në shumicën e qytetit”, ka thënë Ahmeti.
Megjithatë, Ahmeti është shprehur i vetëdijshëm rreth vështirësive në disa rrugë të Prishtinës. Duke përmendur këtu edhe rrugën Enver Maloku në lagjën “Mati I”, ë të cilën ishin evidentuar disa aksidente gjatë ditës së sotme.
“Vështirësi janë lajmëruar në rrugët Vëllezërit Fazliu, Xheve Lladrovci, Fshati Ndërkombëtar dhe Enver Maloku por tashmë janë të kalueshme dhe pa probleme”, u shpreh i pari i Prishtinës.
E pikërisht për këto rrugë që kryetari i Prishtinës ka përmendur në reagimin e tij në Facebook, kishin pasuar kritikat për vonesa në reagim të komunës, për mospastrimin e borës dhe shmangjen e aksidenteve.
“ Te Enver maloku është dashur me reagu ma herët me kripe jo ne ora 8:00 pasi u përplasen njo 20 vetura e u bllokun te gjitha daljet”, shkruan një qytetar me emrin Sali, në hapësirën e komenteve tek profili i kryetarit Ahmeti, duke e përcjellë reagimin e tij edhe me një foto të rrugës “Enver Maloku”. Në foto shihet dy aksidente të shkaktuara në atë rrugë.
Ahmeti është kundërpërgjigjur ndaj kritikave të këtij qytetari, duke thënë se “Prishtina i ka 2200 rrugë. Nuk i kemi 2200 kamionë për të dal në të gjithë Prishtinën në të njëjtën kohë”.
“Do ti pastrojmë te gjitha çdo here pasi që bjen bore por nganjëherë nevojitet një kohe deri te arrijmë ne çdo vend. Për ketë kërkojmë mirëkuptim dhe kujdes te vozitësit. Nga fotot qe i pash te Enver Maloku disa ishin edhe me goma te verës. Kujdes ju lutem dhe bashkëpunim me komunën e kalojmë pa fatkeqësi”, ka deklaruar ai.
Në komentet e tjera të bëra nga qytetarët, Ahmeti ka marrë kritika për, siç pretendojnë ata, mospastrimin e borës edhe në rrugën “Muharrem Fejza” në lagjen “Mati I” dhe rrugë të tjera në lagjen “Kodra e Trimave”.
Nuk kanë munguar edhe këshillat e qytetarëve rreth shkrirjes së borës drejtuar të parit të Prishtinës. /Insajderi.com