
Stimulimet financiare të punonjësve pa procedurë të rregulluar, pagat e ndryshme për pozitën e njëjtë, mbulimi i pozitave me ushtrues detyre, parregullsitë në procedura prokurimi, mungesa e kontratës për shërbime udhëtimi, janë parë si sfiduese nga Zyra Kombëtare të Auditimit (ZKA) në raportin e përformancës për Telekomin e Kosovës për vitin 2024.
ZKA’ja në raportin e tyre thekson se Telekomi i Kosovës ndau stimulime për një pjesë të punonjësve në vlerë prej 155 mijë euro. E gjithë kjo shumë ishte ndarë pa asnjë kriter, ndonëse ishte inkurajuar nga bordi i drejtorëve të ndërmarrjes për hartimin e ndonjë rregulloreje apo udhëzimi që përcakton kritere, raporton Insajderi.
“Ndërmarrja në vitin 2024 kishte dhënë stimulime për një pjesë të punonjësve në vlerë 155,391€. Sipas procesverbalit të datë 31 janar 2023 kishte aprovuar kërkesën e menaxhmentit për alokimin e 15,000€ në muaj për drejtorinë teknike për stimulimin e punëtorëve kyç të ndërmarrjes. Tutje, me datën 22 mars 2023 kryeshefi ekzekutiv kishte aprovuar kushtet për stimulim për kuadro deficitar dhe ata me kontribute të dallueshme të hartuara nga drejtori teknik. Sipas këtij dokumenti listën e të propozuarve e përpilon drejtori teknik të cilën e dërgon për aprovim tek kryeshefi ekzekutiv”, thuhet në gjetjet e ZKA’së.
“Megjithatë, nuk kishte ndonjë rregullore apo udhëzim të miratuar nga bordi i cili do të përcaktonte mënyrën, kritere, procedurat se në çfarë rrethana ndahen këto shpërblime.Vlen të theksohet se sipas evidencës së brendshme bordi kishte inkurajuar menaxhmentin që të përpilojë një rregullore për ofrimin e bonuseve apo shpërblimeve, mirëpo deri sa ishim në proces të auditimit, menaxhmenti nuk ishte arritur ta përpilonte një rregullore të tillë”.
Auditori ka identifikuar 55 raste që Telekomi i Kosovës po mbulonte pozita me ushtrues detyre, të cilët kishin kaluar edhe afatet e caktuara ligjore (gjashtë muaj). Tetë nga ta janë menaxherë të njësive të ndryshme.
Në raportin e auditimit të përformancës për vitin 2024 për Telekomin, u vërejt edhe diferencim mes pagash për pozitën e njëjtë. Siç specifikohet në raport, nga 32 raste sa ishin në raport, 13 sosh janë evidentuar në dhjetor të vitit të kaluar.
“Gjatë auditimit kemi identifikuar që edhe gjatë vitit 2024 ekzistojnë dallime në pagë për punonjësit që mbajnë pozitën e njëjtë. Disa nga rastet që paguhen ndryshe për pozitën e njëjtë janë: administrator, grada 5 dhe 7, administrator i sistemit, grada 9 dhe 11, koordinator i shitjës, grada 9 dhe 10, zyrtar për monitorimin e mediave, grada 7 dhe 10. Sipas evidencave të siguruara nga ndërmarrja vlen të theksohet se numri i këtyre rasteve gjatë vitit kishte variruar nga 32 sa ishin në janar, në 13 raste në dhjetor 2024.
Edhe përkundër që ndërmarrja në planin e veprimit ishte zotuar që do të rregulloj këtë çështje ende nuk kishte arritur të adresojë plotësisht rekomandimin e dhënë“, thuhet në gjetje.
Po ashtu, në procedura të prokurimit janë evidentuar parregullsi, të llojit të përdorimit të shpeshtë të procedurës minimale dhe mospërdorimi i sistemit “e-prokurimi” në menaxhimin e kontratave dhe vlerësimin e përformancës së kontraktuesve.
Shqetësim në Telekom ngelet edhe mungesa e një kontrate për shërbimet e udhëtimit. Sipas gjetjeve të ZKA’së, vetëm përgjatë vitit të kaluar, bazuar në fatura, janë identifikuar afro 35 mijë euro shpenzime për bileta udhëtimi.
Auditori e sheh si problem mungesën e një kontrate për shërbimin e udhëtimit, meqë ndërmarrja mund të paguajë çmime më të larta dhe të mos jetë në harmoni me parimet e ligjit për prokurim publik.
Ndërmarrja publike, ndonëse e ka bërë të ditur se është në faza finale, ende s’ka arritur ta implementojë kodin shtetëror në tërësi. Ndonëse ishin zotuar që kjo të ndodhë në janar, shtyrja e finalizimit të kodit shtetëror (+383) ishte arsyetuar me pushimin e festave të fundvitit dhe zgjedhjeve.
“Ata kanë synuar implementimin e ndryshimeve ta shtyejnë për realizim në fund të janarit 2025. Duke e evituar Dhjetorin qëllimisht për shkak të praktikave lidhur me ngritjen e aktiviteteve në festat e fund vitit. Mirëpo, edhe ky synim për janar është shtyrë me arsyetimin e kohës së zgjedhjeve elektorale që në rast të ndonjë problemi me telefoni mos të dëmtonte procesin elektoral”, thuhet më tej në gjetjet e ZKA’së. /Insajderi.org/