Policia e Kosovës ka njoftuar për një rast në Prizren, ku një i dyshuar që po shpërndante subtancë narkotike të llojit kokainë nuk i është ndaluar zyrtarëve policorë. Duke ikur, ai ka shkaktuar vetë-aksident.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë policia me anë të raportit ditor, ku bëhet e ditur se lëndime kanë pësuar edhe zyrtarë policorë gjatë ndjekjes së tij, shkruan Gazeta Insajderi.
“Është raportuar se i dyshuari mashkull kosovar është duke bërë shpërndarjen e substancave narkotike të llojit Kokainë. Policia e Kosovës, konkretisht Njësia për hetimin e narkotikëve kanë arritur të identifikojnë të dyshuarin mashkull kosovar me veturën e tij, por i njëjti në sinjalizimin për ndalje nuk është ndalur dhe gjatë ikjes duke mos iu përshtatur kushteve të rrugës ka shkaktuar vet aksident dhe i njëjti ka pësuar lëndime të lehta trupore, ndërsa dhe zyrtarë policor gjatë ndjekjes së të dyshuarit në teren të papërshtatshëm kanë pësuar lëndime trupore dhe të njëjtit janë dërguar për tretman mjekësor. I dyshuari pas përpjekjeve policore është arrestuar dhe gjatë kontrollit i është gjetur dhe sekuestruar substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë me peshë rreth 2.24 gram”, thuhet në njoftim.
Në konsultim me prokurorin janë kontrolluar tri lokacione ku në dy lokacione janë gjetur dhe sekuestruar një armë revolver pa fishekë, një qese plastike me substancë të dyshuar narkotike të llojit heroinë me peshë rreth 67.07 gram.
Pas intervistimit me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje. /Insajderi.org/