×
  • Lajme
  • Analiza

    Shpërthen skandali i kompanisë “Pestova”-Një sasi e “Vipa Çips” del kancerogjen, Italia e heq nga tregu

    Insajderi
    10 September 2023 - 12:27
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Më 2 qershor të këtij viti, sistemi rapid i Bashkimit Evropian ka alarmuar Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës për nivel të lartë të kimikatit kancerogjen Akrilamideve në një produkt të prodhuar në Kosovë. Produkti ishte Vipa Çipsi.

    Dërgesa ishte nisur nga Kosova për tregun italian, por gjatë rrugës transit në Slloveni ishin marrë disa mostra për analiza.

    Rezultatet kishin dalë që sasia e akrilamideve ishte trefish më e lartë se niveli i lejuar. Kështu, duke e konsideruar të rrezikshme për konsum.

    “Eksporti jonë është në shumë vende të Evropës, mirëpo në këtë kohë nga distrubutori ynë në Itali kemi marrë informacionin se pas analizave, njëri nga produktet tona ka dalë me vlera më të larta se që është e lejuar me akrilamide”, tha menaxheri i cilësisë në kompaninë “Pestova”, Agran Halimi.

    Akrilamidet janë kimikate që krijohen gjatë pjekjes së disa produkteve ushqimore në temperatura të larta.

    “Akrilamidi është një komponent kimik, i cili krijohet kur aminoacidi aspartin që gjendet në ushqime të ndryshme, për shembull si tek patatja në kontakt me sheqernat e tyre, krijohet në temperatura të larta gjatë përgatitjes së ushqimeve, pra gjatë fërgimit për shembull krijohen akrilamidet, kjo është ajo mënyra se si krijohen”, tha mjeku specialist i ekologjisë humane në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK), Ergyl Binçe.

    Sasia e saj mbi nivelin e lejuar nxit zhvillimin e kancerit tek njeriu.

    “Është treguar që është i dëmshëm sa i përket pjesës nervore të njeriut, i dëmshëm në organet reproduktive, posaçërisht tek meshkujt. Por, d.m.th ka edhe dëme të tjera që mund të bëjë. Faktikisht i ndihmon rrethanat për krijimin e kancerit”, tha Binçe.

    Për këtë, autoriteti italian duke u bazuar në rezultat e autoriteteve sllovene, të dy vende këto pjesë e Bashkimit Evropian, kishte bërë tërheqjen e tyre nga tregu dhe asgjësimin.

    “Pas marrjes së informatës nga Bashkimi Evropian, sepse sistemi i Bashkimit Evropian është për të gjithë vendet e Bashkimit Evropian nga është identifikuar nga Sllovenia, e më të cilën pastaj produkti i cili ka qenë i llotit të hershëm, ai produkt nuk është kthyer në Kosovë, por është identifikuar dhe është asgjësuar”, tha kryeinspektori sanitar, Ibrahim Tershnjaku.

    Se sa është sasia e prodhimit vendor të asgjësuar nga autoritetet italiane nuk e di kryeinspektori sanitar. Ndërsa, nga kompania “Pestova”, sasia thonë të jetë rreth 200 paketa me nga 9 çipsa që në total i bie 1 mijë e 800 çipsa.

    “Sasia që ka shkuar në Itali nëse jam i sigurt kanë qenë diku 200 paketa, dhe nga tregu italian menjëherë janë tërhequr nga tregu dhe si të tilla në bazë të rregulloreve të shtetit italian produkti i tillë është asgjësuar.”, tha menaxheri i cilësisë në kompaninë “Pestova”, Agran Halimi.

    Në këtë pikë, lind pyetja se a kishte çipsa edhe në tregun vendor nga linja e njëjtë e prodhimit, prej nga doli sasia e lartë e kimikatit kancerogjen akrilamideve?!

    Përgjigja del të jetë po.

    Por, sa ditë qëndruan në treg derisa urdhëroi AUV tërheqjen e tyre dhe cili ishte fati i tyre në Kosovë?

    Rrjedha e ngjarjes është kjo!

    Një ditë pas sinjalizimit nga sistemit i BE-së, më 3 qershor dy inspektorë të AUV, Musa Dibrani dhe Fatoz Haziri kishin shkuar për inspektim në fabrikën Vipa Çips në fshatin Pestovë të Vushtrrisë.

    “Me 2 qershor me 03 menjëherë kemi dalë në vendin e ngjarjes dhe kemi marrë të gjitha veprimet ligjore që produktet të verifikohen, të analizohen dhe pastaj të qiten në treg”, tha kryeinspektori sanitar, Ibrahim Tërshnjaku.

    Hapat e mëtejmë ligjorë nuk i shpjegon Tërshnjaku.

    Por, bazuar në procesverbalin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, kompania është urdhëruar të bëjë analizat laboratorike dhe detikimin e akrilamideve tek të gjitha llojet e çipsit, si dhe pastrimin e rrjetës së furrës në të cilën bëhet pjekja.

    Mostrat e marra sipas inspektorëve do të dërgoheshin në laboratorin e AUV për testim.

    Bazuar në procesverbalin e datës 15 qershor, rezultatet e analizave dolën të gjitha me prani të akrilamideve mbi normat e lejuara.

    Por, kryeinspektori sanitar në AUV nuk i pranon këto analiza.

    I pyetur se cilat kanë qenë rezultatet dhe çfarë hapa kanë ndërmarrë më 15 qershor, ai nuk jep përgjigjen në përputhje me raportet e inspektorëve.

    Gazetarja: Pasi keni pranuar mostrat më 15 qershor, çfarë hapa keni ndërmarrë, çka kanë dalë rezultatet laboratorike?

    Tërshnjaku: Shikoni, unë po e përsëriti disa herë ndoshta, ja s’po mund ta kuptojmë këtë problemin.

    Gazetarja: Edhe unë po ju pyes sërish për ta kuptuar. Më 15 qershor 2023, pasi i keni pranuar mostrat e laboratorit, cilat kanë qenë rezultatet e mostrave të laboratorit dhe çfarë hapa keni ndërmarrë?

    Tërshnjaku: Po të gjitha hapat të cilët janë përsëritur në mënyrë të vazhdueshme, me kusht që siguria e produktit të jetë në normën për konsum.

    Ndryshe nga zyrtari shtetëror, menaxheri i cilësisë nga kompania pranon rezultatet e analizave dhe tregon se arsyeja e nivelit të lartë të kimikatit në çips ka ardhur si pasojë e përdorimit të patates së vjetër vendore e cila ka pasur prani të shtuar të sheqerit.

    “Shikoni, ne përdorim masat preventive, me ato analiza që paraprakisht që di që ndikojnë tek sasia e sheqerit të reduktuar, në laboratorin tonë i kryejmë ato analiza. Dhe sheqeri i reduktuar ka qenë në nivelin e pranueshëm, në bazë të analizave që i kemi ne. Mirëpo, në pjesën e përpunimit ajo është aktivizuar dhe është paraqitur si rezultat..”, tha menaxheri i cilësisë në kompaninë “Pestova”, Agran Halimi.

    Bazuar në analizat laboratorike, në riinspektimin e 15 qershorit tre inspektorë kanë marrë vendim, duke ia caktuar kompanisë katër obligime.

    Në rend të parë kompania është urdhëruar të tërheqë të gjitha produktet e dyshimta pas kërkesës të sistemit rapid evropian.

    Pika dy parasheh ndalimin e përkohshëm të linjës së prodhimit të çips e të gjitha llojeve të testuara, të cilat kanë rezultuar me përmbajte me akrilamid mbi nivelin e lejuar.

    Pika tre ka paraparë njoftimin e opinionit publik që të mos konsumojnë produktet që kanë përmbajtje të akrilamideve mbi normat e lejuara.

    Dhe pika katër ka listuar artikujt e dyshimtë ushqimorë.

    Bazuar në procesverbalin e po të njëjtës ditë, kompania është urdhëruar të ndërrojë llojin e patates për prodhimin e patates së pjekur, duke qenë se ajo që kishte dalë me nivel të lartë të kimikatit kancerogjen, ishte për shkak të nivelit të lartë të sheqerit në patate.

    Pika e parë e vendimit të inspektorëve u zbatua.

    Punëtorët e kompanisë “Pestova” dolën në terren për t’i tërhequr çipsat e shitur nga linja e njëjtë e prodhimit me ata për tregun italian.

    Asgjësimi është bërë më 26 qershor, 24 ditë pas pranimit të informacionit nga sistemi rapid i BE-së.

    “Halimi: Në tregun vendor nuk ka qenë sasi e madhe, për arsye se në momentin që na kanë lajmëruar neve, menjëherë i kemi tërhequr ato nga tregu dhe ato që i kemi pasur në stoqe menjëherë e kemi asgjësuar.

    Gazetarja: Por, për çfarë sasie bëhet fjalë për ato që kanë qenë në treg?

    Halimi: Po nuk ka qenë sasi, ato kanë qenë diku 200 deri 300 paketime, paketime nga 9 qese ne paketim”.

    I pyetur se sa është diferenca në mes sasisë së shitur dhe asaj të tërhequr, Halimi thotë të jetë e ulët.

    “Gazetarja: Dhe a është vërejtur diferencë e madhe në mes sasisë të cilën ju e keni dorëzuar dhe asaj të cilën e keni kthyer, për ta kuptuar se sa nga ato paketa janë shitur tek konsumatorët?

    Halimi: Për fatin tonë, pjesa më e madhe ka qenë në depot tona dhe për fatin e konsumatorëve pjesa me e madhe ka qenë në depo, d.m.th një sasi e vogël ka filluar të shpërndahet dhe e tërë sasia është tërhequr nga tregu.

    Gazetarja: Çfarë sasie ka qenë në treg?

    Halimi: Në treg ka qenë nëse nuk gaboj diku 100 paketime. Ato janë tërhequr dhe janë asgjësuar dhe janë kthyer prapë në fabrikë.

    Gazetarja: Dhe sa prej sasisë që e keni vendosur në treg e keni parë se veç është shitur?

    Halimi: Ka qenë sasi shumë e vogël, sasi e vogël prej 100 paketimeve sa kanë qenë nuk janë shpenzuar më shumë se pesë-gjashtë paketime në treg, për arsye se në momentin që na kanë lajmëruar, ne menjëherë kemi reaguar dhe shumë shpejt i kemit tërhequr. Për arsye se e kemi një sistem ku saktë dihet në ditën e caktuar sa sasi është prodhuar, nga sasia e prodhuar tek cilët konsumatorë ka shkuar, d.m.th e kemi një sistem të gjurmimit i cili na ka ndihmuar që shumë shpejt ta tërheqim sasinë që është në treg”.

    Raportet e siguruara nga mediumi japin këtë pasqyrë, që shitja rezulton të jetë më e madhe se ajo që thotë Halimi.

    Në total fabrika ka prodhuar 2475 çipsa, prej tyre 1209 janë tërhequr nga tregu, derisa 1266 janë shitur.

    Për rrjedhojë, i bie që mbi 50 për qind e sasisë së prodhuar me nivel të lartë të akrilamideve të jetë shitur.”

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    22 November 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark