Gjashtë persona janë lënduar në një shpërthim afër një stacioni të metrosë në Moskë i cili sipas zyrtarëve rusë u shkaktua si pasojë e rrjedhjes nga një kuti me gaz.
Komisioni hetues ka thënë se dy persona të lënduar në shpërthimin e 22 dhjetorit janë dërguar në spital për trajtim mjekësor.
Shpërthimi ka ndodhur në një zonë nëntokësore afër stacionit Kolomenskaya, në pjesën juglindore të qendrës së Moskës, ka njoftuar Ministria e Situatave Emergjente.
Njoftimi thotë se kutia e gazit është përdorur nga ekipet që po kryejnë riparime në zonat që shfrytëzohen nga pasagjerët.
Shpërthimi ka shkaktuar zjarr që sipas autoriteteve është ndalur shumë shpejtë, shkruan rel.
Zyrtarët e metrosë së Moskës thonë se një pjesë e stacionit të metrosë është mbyllur pas shpërthimit.
Shpërthimet në apo afër metrosë së Moskës nxisin gjithnjë shqetësim sepse terroristët më parë kanë pasur cak ato në sulmet vdekjeprurëse në të kaluarën.