Në Mitrovicë të Veriut mbrëmjen e 20 dhjetorit kanë ndodhur dy shpërthime, që dyshohet të jenë shkaktuar nga hedhja e shok bombave.
Sipas Policisë, njësitet patrulluese policore kanë raportuar se shpërthimet kanë ndodhur rreth orës 20:45 dhe 21:20 në Lagjen e Boshnjakëve dhe te Tre Rrokaqiejt.
“Bazuar në informacionet e deritanishme nuk është raportuar për ndonjë lëndim apo dëm material”, tha Policisa e Kosovës.
Që nga fillimi i dhjetorit, në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe janë regjistruar disa incidente me armë zjarri, granata dore dhe shok bomba.
Lexo edhe:
Më 10 dhjetor, disa serbë lokalë ngritën barrikada në rrugët që çojnë drejt pikëkalimeve kufitare mes Kosovës dhe Serbisë: Jarinjë dhe Bërnjak.
Ngritja e barrikadave u bë në shenjë pakënaqësie me arrestimin e një ish-polici të Kosovës.
Dejan Pantiq, sipas autoriteteve në Kosovë, dyshohet se ka organizuar “sulmin terrorist” të 6 dhjetorit ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të shtetit.
Kosova ka rritur prezencën e policisë në veriun e banuar me shumicë serbe, ndërkaq për shkak të barrikadave, janë mbyllur pikëkalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.
Aktualisht, sipas autoriteteve, në veri janë ngritur nëntë barrikada.