×
  • Lajme
  • Lajme

    Shpërthimi i 29 nëntorit në Varagë- Çfarë është Ibër Lepenci dhe cila është rëndësia e tij

    Insajderi
    02 December 2024 - 21:17
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ndërmarrja Hidroekonomike Ibër-Lepenc, me seli në Prishtinë, është një ndërmarrje që furnizon me ujë të papërpunuar industrinë, ujësjellësit dhe bujqësinë, si dhe prodhon energji elektrike nga hidrocentrali i Ujmanit. Sipas faqes zyrtare të kësaj ndërmarrjeje, kompania është themeluar me vendim të Kuvendit të Kosovës më 28 shkurt 1967.

    Ndërtimi i këtij sistemi ishte paraparë të bëhej në dy faza: Faza e Ibrit, e cila përfundoi më 1986, dhe faza e Lepencit, e cila nuk është realizuar. Kjo ndërmarrje sot është shoqëri aksionare, 100% në pronësi të Qeverisë së Kosovës.

    Si është ndërtuar Ujmani?

    Ujmani, rreth 25 kilometra larg Mitrovicës, është një liqen artificial i krijuar me ndërtimin e digës së Ujmanit mbi lumin Ibër, gjatë viteve 1979-1984, për të siguruar furnizimin me ujë për popullsinë, industrinë, termocentralet dhe për ujitje.

    Lumi Ibër, që e furnizon Ujmanin me ujë, buron në Mal të Zi, kalon nëpër territorin e Serbisë, hyn në Kosovë me një gjatësi të shtratit prej 82 kilometrash dhe më pas kthehet në Serbi.

    Ujmani ndodhet në komunën e Zubin Potokut, në veri të Kosovës, një zonë e banuar me shumicë serbe, ndërsa një pjesë më e vogël i përket komunës së Tutinit në Serbi.

    Sipas dokumenteve zyrtare të Qeverisë së Kosovës, nga hidrosistemi Ibër-Lepenc, në Ujman (Zubin Potok), furnizohet me ujë i gjithë veriu i Kosovës, si dhe Prishtina me rrethinë.

    Ky hidrosistem, gjithashtu, furnizon me ujë termocentralet në Obiliq, që përdoret për ftohjen e termocentraleve Kosova A dhe Kosova B. Përveç kësaj, uji nga liqeni akumulues i Ujmanit përdoret për ujitjen e sipërfaqeve bujqësore. Në rastet e thatësirës, si ajo e vitit 2014, uji nga Ujmani është përdorur edhe për mbushjen e liqeneve afër Prishtinës, Batllavë dhe Badoc.

    Liqeni i Ujmanit është më i madhi në Kosovë, me një sipërfaqe prej 11.9 kilometrash katrorë dhe kapacitet prej 370 milionë metrash kub ujë. Hidrocentrali i tij prodhon 35 megavat energji elektrike në orë.

    Kanali Ibër-Lepenc ka një gjatësi prej 49 kilometrash – nga liqeni në Ujman deri në Prishtinë, përfundon në liqenin e Badocit dhe kalon nëpër territorin e pesë komunave: Zubin Potok, Mitrovicë, Vushtrri, Obiliq dhe Prishtinë, shkruan REL.

    Kush e financoi ndërtimin e digës së Ujmanit?

    Sipas dokumenteve të Bankës Botërore, ndërtimi i këtij projekti kushtoi mbi 100 milionë dollarë. Prej kësaj, kredia nga Banka Botërore ishte 45 milionë dollarë (42% e projektit), ndërsa pjesa tjetër u financua në nivel lokal përmes një fondi special për zonat e pazhvilluara, nëpërmjet Bankës së Kosovës.

    Kredia e Bankës Botërore u miratua në vitin 1971 dhe hyri në fuqi më 1972. Banka ia dha këto mjete qeverisë federale të Jugosllavisë, e cila më pas ia kaloi si kredi ndihmëse ndërmarrjes Ibër-Lepenc, një entitet i krijuar nga qeveria krahinore e atëhershme e Kosovës për zhvillimin e burimeve ujore të sistemeve Ibër dhe Lepenc.

    Në një raport të vitit 1986, Banka Botërore deklaroi se ndërtimi i projektit ishte i kënaqshëm, pavarësisht disa vonesave. Megjithatë, çmimi i projektit u rrit disa herë për shkak të inflacionit gjatë zbatimit. Ndërmarrja Ibër-Lepenc nuk arriti të sigurojë fitime në vitin e parë të funksionimit (1977), por kjo ndodhi më 1981, kryesisht nga energjia elektrike. Pagesat për furnizimin me ujë filluan më 1983.

    Kosova e konsideron Ujmanin si pronë të sajën, ndërsa Serbia insiston se ka trashëguar borxhin e ish-Jugosllavisë dhe për këtë arsye pretendon të drejtën e pronësisë.

    Nga ana tjetër, në Zubin Potok ekziston edhe një ndërmarrje në pronësi të Serbisë me emrin “Ibar”, e themeluar në vitin 2002, të cilën Kosova e konsideron si ilegale.

    Ndryshe, më 29 nëntor ka ndodh një shpërthim në kanalin e Ibër-Lepencit – për rastin deri tani policia ka arrestuar 10 persona, kurse njërit veç i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh./REL/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark