Banorët e dëmtuar nga shpërthimi i mjeteve piroteknike në një pikë shitjeje në lagjen “Bazhderhane” në Prizren kanë afat prej 7 ditësh që të parashtrojnë kërkesë për dëmet që u janë shkaktuar.
Kështu ka njoftuar kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj.
“Komisioni për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga incidenti me mjete piroteknike në lagjen ‘Bazhdarhane’ ishte sot në vendin e ngjarjes për t’i informuar banorët e dëmtuar se duhen, në afat prej 7 ditësh sipas ligjit, të parashtrojnë kërkesë në Drejtorinë e Emergjencave dhe Sigurisë për dëmet që u janë shkaktuar”, ka shkruar Totaj në Facebook.
Një person ka mbetur rëndë i lënduar nga zjarri më 1 janar dhe është duke u trajtuar në Intensivë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Nga QKUK-ja patën thënë se gjendja e tij është shumë e rëndë.
Si pasojë e këtij zjarri, ishin shkaktuar edhe dëme materiale në banesa, lokale dhe automjete përreth.