Rreth 50 emigrantë nga Siria qëndruan mbi tre orë në det të hapur me motin e keq. Ata tentuan të kalonin ilegalisht kufirin drejt Italisë me gomone nga Shqipëria, të ndihmuar edhe nga një grup trafikantësh shqiptarë.
Ndërsa shumë prej tyre në gjendje të rëndë shëndetësore i janë drejtuar spitalit Rajonal të Vlorës. 16 persona morën ndihmë të specializuar në Spitalin Rajonal të Vlorës, ndërsa nëntë burra dhe gra nisën drejt Spitalit të Traumës, mes tyre tre fëmijë nën moshën 10-vjeçare.
Mjeti lundrues mbeti në grykëderdhjen të Vjosës për orë të tëra për shkak të erërave të forta. Xhilal M. Nga Siria tha se ishte në gomone së bashku me dy motrat dhe nipin shtatë vjeçar.
“Paratë i ka paguar im vëlla, nuk e di sa lekë ka paguar, ne donim të shkonim në Itali, në Evropë , kudo qoftë. Kemi qëndruar për rreth tre orë në det, u dogjëm nga benzina”, tha ai, shkruan A2.
Pjesa tjetër e tyre gjenden në korridoret e Drejtorisë Vendore të policisë. Kjo e fundit në komunikatën e saj për shtyp tha se goditi një rast trafiku klandestinësh, megjithatë salla operative u njoftua për një mjet lundrues me shtetas të huaj në bord që kërkoi ndihmë për shpëtim pasi gjendej në grykëderdhjen të Vjosës në rrezik për t’u mbytur. Gomonia e përmasave të mëdha është dëmtuar dhe mbytur pjesërisht.
Në aksionin e shpëtimit morën pjesë një mjet lundrues i Rojës Bregdetare dhe dy mjete të Guardia di Finanza. Në tokë aksioni për krehjen e territorit dështoi, ndërsa policia nuk arriti të zbardhë dhe ndaloj shqiptarët e përfshirë në trafik.
Aktualisht nuk ka të dhëna të sakta rreth gomones, nëse rezulton e trafikuar apo e regjistruar me pronësi të rregullt në Shqipëri.