
Vonesat që janë paraqitur për shkak të shpronësimit të pronave të disa tokave në Klinë, ka shkaktuar shtyrjen e përfundimit të projektit për rregullimin e rrugës rajonale Klinë e Epërme – Komaran.
Derisa projekti po vonon, në disa pjesë të saj janë krijuar gropa të mëdha nëpër të cilat vështirë kalohet.
Pronarët e kompanive kontraktuese për ndërtimin e kësaj rruge thonë se punët janë ndërprerë vetëm në ato pjesë ku ka pasur probleme pronësore.
Bajram Gashani, drejtor ekzekutiv i kompanisë “Al Trade”, ka thënë për Zërin se problem janë paraqitur pikërisht tek rrethrrotullimi i Marinës.
Gashani thotë se pronari i tokës nuk ka lejuar të vazhdojnë punimet në atë pjesë, pasi që, sipas pronarit nuk i është kompensuar prona nga Qeveria dhe për këtë çështje i ka bllokuar punimet, njofton portali infokomuna.com
“Punët janë ndërprerë në ato pjesë, ku ka pasur probleme pronësore, që nënkupton se kompania i ka kryer të gjitha punët tjera sipas specifikimeve teknike, si dhe kohës së përcaktuar nga autoritetet kontraktuese. Probleme ka te rrethrrotullimi i Marinës, pikërisht për shkak të shpronësimeve”, thotë ai.
Ndërkohe Hajriz Koci, zëdhënës i Komunës së Skenderajt, tha se shpronësimet janë punë e Ministrisë së Infrastrukturës, ndërsa Komuna ndihmon në identifikimin e pronarëve të tokave, si dhe në punët e tjera teknike./Insajderi