
Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë ka dhënë pasditen e kësaj së marteje, pas një gjyqi të zvarritur në disa seanca, një dënim të përgjithshëm prej 126 vitesh heqje lirie për 9 të akuzuarit për terrorizëm, nga 152 që kishte kërkuar Prokuroria në pretencën e saj.
Konkretisht, vendimet për xhihadistët janë si më poshtë: 13 vite për Verdi Moravën, 18 vite për Bujar Hysën, 17 vite për Genci Ballën, 17 vite për Gerti Pashja, 13 vite për Orion Reçin, 12 vite për Fadil Muslimanin, 7 vite për Astrit Tolën, 13 vite për Edmond Ballën dhe 16 vite heqje lirie për Zeqir Imerin, njofton Top Channel.
Të dënuarit do ta vuajnë dënimin në një burg të sigurisë së lartë, ndërkohë që reagime ka pasur edhe nga avokatët e të pandehurve, të cilët duke folur për mediat kanë bërë të ditur se, përmes këtij vendimi nuk është dhënë drejtësi. Ata kanë shtuar se do ta ankimojnë vendimin në shkallët më të larta të drejtësisë, e ndoshta do të shkohet edhe në Strasburg.