
Një person është ndaluar nga policia e Dibrës, pasi dyshohet se ka inskenuar një ngjarje ku ka qëlluar me armë drejt banesës së xhaxhait të tij, për të përfituar statusin e azilantit në vendet e Bashkimit Evropian.
Femi Nezha, 34 vjeç, banues në Laprakë të Tiranës, u ndalua ditën e djeshme, pasi dyshohet se kishte shkuar në Lurë tek xhaxhai i tij, Q.Nezha, ku kishte qëlluar me armë. Më konkretisht nga hetimet e policisë rezultoi se, i ndaluari, në 30 prill rreth orës 23.00, dyshohet se ka stimuluar ngjarjen ku ka qëlluar me armë zjarri në murin e banesës së xhaxhait të tij.
Pas këtij veprimi ka njoftuar median dhe jo policinë, ku më 1 maj në orët e paradites pasi ka njoftuar median, ka marrë në telefon Policinë e Dibrës se është qëlluar me armë në drejtim të banesës së xhaxhait të tij ku ndodhej edhe ai, njofton noa.al
Nga hetimet e kryera rezultoi se autori i dyshuar i kësaj ngjarjeje është vetë Femi Nezha, pasi dyshohet të ketë stimuluar incidentin me qëllim përfitimin e statusit të azilantit në vendet e BE-së. Gjithashtu ai ka kryer veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës duke fshehur gëzhojat në vendngjarje. Megjithatë uniformat blu kanë mundur të gjejnë dhe sekuestrojnë një gëzhojë dhe një predhë plumbi në faqen e murit të banesës së Q.Nezhës.
34-vjeçarit në javën e parë të muajit prill i është refuzuar statusi i azilkërkuesit në Gjermani dhe është kthyer së bashku me familjen në Shqipëri./