Shqipëria u rendit e gjashtë në botë në vitin 2019 sa u përket lejeve të qëndrimit që shtetasit e saj kanë në shtetet e Bashkimit Evropian.
Të dhënat u publikuan nga Zyra evropiane e Statistikave, sipas të cilit për shtetasit nga Shqipëria janë dhënë deri në fund të vitit 2019 rreth 868 mijë leje qëndrimi.
Sipas Eurostat, në fund të vitit 2019, qytetarët e Marokut ishin grupi më i madh që mbanin leje qëndrimi të vlefshme me 2 milionë, ndjekur nga shtetasit e Turqisë me 1.9 milion, Ukrainës me 1.3 milion dhe Kinës përfshirë Hong Kongun me 1 milion. Këto ishin shtetësitë e vetme që kishin më shumë se një milion leje qëndrimi të vlefshme.
Shifrat e tjera larta u regjistruan për qytetarët e Sirisë me 974 mijë, Shqipërisë me 868 mijë, Algjerisë me 700 mijë, Rusisë me 689 mijë, Indisë me 555 mijë dhe Serbisë dhe 504 mijë. Qytetarët e këtyre 10 vendeve zënë më shumë se gjysmën me 51 për qind të numrit të përgjithshëm të lejeve midis qytetarëve jo-BE që mbajnë leje qëndrimi të vlefshme në BE.
Ndërsa renditet e gjashta në botë për numrin e lejeve të qëndrimit që janë dhënë për shtetasit e saj, Shqipëria e vogël, me vetëm 2.85 milionë banorë, renditet e para në botë për lejet e qëndrimit, në raport me popullsinë e saj.
Sipas të dhënave të Eurostat, të përpunuara nga Monitor, për shtetasit shqiptarë, vendet e Bashkimit Evropian kanë dhënë per Shqipërinë 304 mijë leje qëndrimi për 1 milion banorë, që është 4 herë më e lartë sesa Serbia.
Eurostat thotë se 48 për qind e lejeve të qëndrimit janë dhënë për shtetasit shqiptarë nga Italia, për një total prej rreth 417 mijë personash.
Në vend të dytë është Greqia me 43 për qind ose 371 mijë persona.
Gjermania ka kaluar në vend të tretë me 43 mijë lejë qëndrimi ose 5 për qind të totalit.
Në vend të katërt është Franca me 11 mijë persona ose 1.3 për qind të totalit.
Shtetet e tjera kanë dhënë mesatarisht më pak se 5,500 leje qëndrimi për shtetasit shqiptarë.