Shqipëria forcon mbrojtjen me rezervistë – Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Shqipëria forcon mbrojtjen me rezervistë

    Insajderi
    18 January 2025 - 13:31
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Prej fillimit të këtij viti, kushdo që i plotëson kriteret, mund të bëhet pjesë e Forcës Rezerviste në Shqipëri.

    Ligji që është votuar më 19 dhjetor të 2024-tës, ka hyrë tashmë në fuqi dhe parashikon që Forca Rezerviste të përbëjë 20% të forcës aktive në ushtri, ose të arrijë një personel prej rreth 2.100 vetash në 5-6 vjetët e ardhshëm.

    Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, tha në Kuvend gjatë miratimit të ligjit se rezervistët që do të thirren për të dhënë kontributin e tyre, do të jenë krah Forcave të Armatosura në misione ushtarake, humanitare, apo civile, si brenda, ashtu edhe jashtë vendit.

    “Ky shërbim do të ofrojë një fleksibilitet operacional, duke mundësuar mobilizim të shpejtë gjatë krizave ose emergjencave”, tha Vengu.

    Qëllimi i Ligjit për Forcën Rezerviste

    Sipas ligjit, mosha maksimale për t’u bërë pjesë e Forcës Rezerviste është 50 vjeç për ushtarët/detarët, 55 vjeç për nënoficerët dhe 60 vjeç për oficerët.

    Kohëzgjatja e shërbimit si rezervist është nga 14 deri në 45 ditë në vit, por edhe më gjatë, në rast se kërkohen stërvitje më specifike, pjesëmarrje në operacione apo misione ndërkombëtare të drejtuara nga OKB/NATO/BE, në operacione apo misione humanitare apo në operacione në mbështetje të mbrojtjes civile.

    “Për të përballuar gamën e sfidave dhe vështirësive që, kohëve të fundit, janë gjithnjë e në rritje, forcat e shërbimit ushtarak në rezervë duhet të konsiderohen si një pjesë e vlefshme dhe e çmuar e Forcave tona të Armatosura. Do të luajnë një rol të rëndësishëm, praktik e konkret në përballimin e sfidave të çdo natyre e lloji”, thuhet në relacionin që e shoqëron ligjin.

    Ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, aktualisht deputet i Partisë Socialiste, Bardhyl Kollçaku, thotë për Radion Evropa e Lirë se ligji vjen si domosdoshmëri përballë situatës së re të sigurisë në mbarë botën.

    “Qëllimi i ligjit është ta rrisim forcën ushtarake, komponentin ushtarak, në adresim të sfidave dhe kërcënimeve të sigurisë, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për rajonin dhe për Aleancën e Atlantikut të Veriut”, thotë Kollçaku.

    Ai sqaron se, në thelb, është një shërbim vullnetar, ku mund të përfshihet çdo shtetas shqiptar që i plotëson kriteret.

    Por, edhe pse i tillë, ka disa detyrime e madje përcakton edhe masa administrative e penale, nëse individi që ka firmosur kontratën, nuk i përgjigjet thirrjes për t’u paraqitur kur ushtria ka nevojë për kontributin e tij.

    “Ushtarakët, të cilët në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji, kanë dalë në rezervë sipas kritereve të përcaktuara në Ligjin për karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura, si dhe shtetasit civilë, të cilët i plotësojnë kriteret e pranimit të shërbimit ushtarak në rezervë, rekrutohen nëpërmjet procedurës së konkurrimit dhe nënshkruajnë kontratën përkatëse për shërbimin ushtarak në rezervë, me kohëzgjatje jo më pak se dy vjet, me të drejtë rinovimi”, shpjegon Kollçaku.

    Lëvdata dhe rezerva

    Eksperti i sigurisë dhe mbrojtjes në Shqipëri, Redon Qiriazi, thotë se ligji është një vlerë e shtuar për Forcat e Armatosura të Shqipërisë dhe se vjen në përputhje me objektivat strategjike të vendit për të rritur ndërveprimin dhe kapacitetet ushtarake të mbrojtjes.

    Megjithatë, ai i ka disa rezerva.

    “Mund të jetë edhe një lëvizje politike. Forca Rezerviste do të mundësonte të shfaqte në shifra një forcë ushtarake më të madhe sesa jemi, për të plotësuar kriteret e NATO-s”, sipas tij.

    Ai e sheh me shqetësim edhe kufirin maksimal të moshës së përcaktuar për kategori të ndryshme të rezervistëve.

    “Kemi të bëjmë me persona të moshës 55-60 vjeç. Kjo të bën të mendosh se kemi të bëjmë me individë disi të plakur. Aftësia për të qenë operacional, është pak e vështirë për shkak të moshës”, thotë Qiriazi.

    Por, ndryshe mendon deputeti socialist, Kollçaku.

    “Kriteret janë specifike për çdo funksion”, thotë ai.

    “Për shembull, nëse duhet një specialist për kontrollin e trafikut ajror në kuadër të ndonjë stërvitjeje të NATO-s, do të thirret një specialist nga shërbimi civil ajror, apo në një rast tjetër një mjek, një specialist IT etj. Në këto raste nuk përbën asnjë pengesë mosha, sepse flasim për njerëz me përvojë të vyer”, sipas tij.

    Gjithsesi, eksperti Qiriazi thotë se njëfarë shqetësimi përbën edhe fakti se rezervistët do të kenë të drejtë të përfshihen në misione ndërkombëtare.

    “Kur njësitë stërviten bashkë, kur bëhet fjalë për misione si në Irak apo Afganistan, futja e tyre brenda njësive them se do të cenonte integritetin e njësisë. Nëse nuk trajnohesh në mënyrë të përhershme, ndikon në paraqitjen e njësisë”, thotë ai dhe shfaq shpresën që këto çështje, të rregullohen me akte të veçanta ligjore.

    Çka mendojnë qytetarët?

    “Shumë mirë që u miratua, i duhet vendit tonë, duhej të ishte miratuar më herët”, thotë për Radion Evropa e Lirë 78-vjeçari Riza Proko, i cili ka kryer dy vjet shërbim të detyrueshëm ushtarak në kohën e diktaturës komuniste.

    “Duam dhe shpresojmë për paqe, jo luftë, por masat nuk janë kurrë të tepërta. Po nuk e mbrojtëm vetë vendin, kush do të na mbrojë?”, thotë një 69-vjeçar.

    Për ish-ushtarakun Petrit Maliqi, para ligjit duhej të ishte bërë më shumë për t’i vënë në funksion bazat dhe infrastrukturën ushtarake.

    “Kam qenë vetë ushtarak, kam mbaruar shkollën. Por sot, për fat të keq, disa struktura shumë të mira që i kemi pasur, janë shkatërruar”, thotë ai.

    “Italia, Serbia, Greqia, në krahasim me ne, kanë ushtri më të fortë. Ne kemi shumë gjeneralë, por nuk kemi ushtarë. Rezervistët mund të shërbejnë për fatkeqësi natyrore, por për situata lufte…. Ku do të bëjnë stërvitje këta?”, pyet Maliqi.

    A duhet kthyer shërbimi i detyrueshëm ushtarak?

    Prej se Rusia ka nisur pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, në Shqipëri është folur herë pas here për nevojën e rikthimit të shërbimit të detyrueshëm ushtarak, i cili është hequr në vitin 2010, pas anëtarësimit në NATO një vit më herët.

    Ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Kollçaku, thotë se kush e ka kryer këtë shërbim, e ka më të lehtë të pranohet si rezervist, ndërsa të tjerët duhet t’u nënshtrohen testimeve dhe trajnimeve.

    Ai shton se kjo çështje është diskutuar brenda qarqeve vendimmarrëse, por se ende nuk ka ndonjë gjë konkrete.

    “Kur është e gjithë popullata e stërvitur, është më mirë kur ka kërcënime e rreziqe të shkallës së gjerë… Ideja e [shërbimit të detyrueshëm] qarkullon, nuk ka vendimmarrje, do të jetë në vlerësim të kërcënimeve, sfidave, nevojave…”, thotë Kollçaku, duke shtuar se si ish-ushtarak, ai është pro.

    Qiriazi, i cili ka shërbyer për tetë vjet në Forcat e Armatosura, thotë se është pro rikthimit të shërbimit të detyrueshëm ushtarak.

    “Mendoj se shumë të rinj do të përgjigjeshin pozitivisht. Jo të kthehet ushtria siç ka qenë me dy vjet, por me disa muaj”, thotë ai.

    Edhe qytetarët që folën për Radion Evropa e Lirë, janë për rikthim të këtij shërbimi, edhe pse e shohin pak të vështirë.

    “Sigurisht që është mirë të ketë një disiplinë, përgatitje. Por, shërbimi ushtarak i detyrueshëm është vështirë të aplikohet, se rinia është duke ikur”, thotë 78-vjeçari Riza Proko.

    “Rikthimi i ushtrisë, mirë do të ishte, por ku të shërbejnë? Nuk kemi reparte këmbësorie, artilerie etj. T’i rimëkëmbim njëherë këto, e pastaj…”, thotë Petrit Maliqi.

    Forca aktive e Ushtrisë së Shqipërisë përbëhet prej 8.500 pjesëtarësh, ndërsa me rezervistët pritet të rritet për rreth 2.100.

    Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë prej vitesh bën thirrje që të rinjtë të bëhen pjesë e Forcave të Armatosura.

    Qeveria ka miratuar edhe financa shtesë për punonjësit e sektorit të mbrojtjes. Shtesa në pagë shkon deri në 700 euro.

    Shqipëria, gjithashtu, pritet të rijetësojë industrinë e vjetër ushtarake.

    Sipas autoriteteve, ideja ka lindur si nevojë pas ndryshimeve gjeopolitike.

    Në Strategjinë e Sigurisë Kombëtare thuhet se synohet modernizimi i Forcave të Armatosura për t’iu përgjigjur sfidave të reja të sigurisë.

    Në korrik të vitit të kaluar, Këshilli Evropian ka miratuar një paketë ndihme prej 13 milionë eurosh për të mbështetur Ushtrinë e Shqipërisë. /REL


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark