Drejtësia, gjyqësori, prokurimet dhe administrata publike janë disa prej fushave që prek grup-kapitulli i parë i çelur mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian.
Shqipëria çeli këtë të martë në Luksemburg grup-kapitullin e parë të negociatave me Bashkimin Europian.
Ky grup kapitulli prek fusha thelbësore sic janë: drejtësia, gjyqësori, funksionimi i institucioneve demokratike, prokurimi publik apo reforma e administratës publike.
Pas prezantimit të metodologjisë së rishikuar për negociatat e anëtarësimit në vitin 2020, kapitujt negociues ndahen në gjashtë grupime tematike: Themeloret; Tregu i brendshëm; Konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse; Axhenda e gjelbër dhe lidhja e qëndrueshme; Burimet, bujqësia, kohezioni si edhe marrëdhëniet me jashtë.
Grup-kapitulli i parë, ose siç quhet ndryshe ‘bazat’ ose ‘themeloret’, përfshin edhe prokurimet publike, statistikat dhe kontrollin financiar.
Ky grup kapitull hapet i pari dhe mbyllet në fund të procesit të integrimit. Progresi në këtë grup do të përcaktojë ritmin e përgjithshëm të negociatave.
Negociatat zhvillohen mes ministrave dhe ambasadorëve të qeverive të vendeve anëtare dhe vendit kandidat përmes Konferencës Ndërqeveritare.
Ato përfshijnë marrjen përsipër nga vendi kandidat të përafrimit të plotë të legjislacionit të BE-së, zbatimin e tij, si dhe zbatimin e reformave të tjera ligjore, politike, ekonomike, administrative dhe reformave të tjera për të përmbushur kriteret për anëtarësim.