Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati insiston se propozimi i presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq për krijimin e një tregu të përbashkët rajonal është një ide e mirë, pavarësisht kundërshtimeve të Prishtinës zyrtare.
Sipas Bushatit, Shqipëria dhe Serbia kanë nxitur vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, në bashkëpunim me Bankën Botërore, për të konceptuar një plan të qartë veprimi sa i përket heqjes së të gjitha barrierave tregtare.
“Kemi synim krijimin e një tregu të përbashkët rajonal. Ka pasur disa spekulime për këtë përqasje të Shqipërisë dhe Serbisë, e cila është mbështetur edhe nga Komisioni Europian dhe vende kyçe në Bashkimin Europian, por qëllimi i kësaj nisme nuk është asesi krijimi i të ashtuquajturës ‘Jugosllavi’. Qëllimi i kësaj nisme nuk është asesi ta nxjerrë në vend të dytë procesin e anëtarësimit të vendeve tona në BE”, tha sot Bushati.
Përkundrazi, – thotë kryediplomati shqiptar, – krijimi i një tregu rajonal synon të zbusë më shumë konfliktet dhe mosmarrëveshjet politike.
Por, kryeministri i Kosovës Isa Mustafa ka bërë të ditur më parë se tregu i përbashkët i vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk është në interes të njëjtë të të gjitha vendeve.
“Ne ndajmë përvoja të ndryshme nga e kaluara dhe kjo e kaluar nuk dëshirojmë të na kthehet edhe një herë në ambalazhim të ri. Një treg i ngjashëm me atë të ish-Federatës Jugosllave, pa Kroacinë e Slloveninë e me Shqipërinë, si treg i përbashkët. Jo! Ose një union doganor i Ballkanit Perëndimor, në të cilin Kosova nuk do të ketë prekje me asnjë vend të Bashkimit Evropian. Jo!”, kishte shkruar Mustafa në Facebook, para rreth tre javësh.
Edhe kryediplomati kosovar, Enver Hoxhaj është shprehur kundër krijimit të një zone të përbashkët të lirë ekonomike në Ballkan, raporton Insajderi.
Hoxhaj, në një deklaratë të shkruar në rrjetin social Twitter kishte shprehur hapur qëndrimin e tij kundër tregut të përbashkët rajonal të ideuar nga Serbia.
Ai kishte thënë se kjo ide është tendencë anti-evropiane për ta dominuar rajonin dhe për ta shtuar ndikimin e Rusisë në Ballkan.
“Ideja e Serbisë për një treg të përbashkët rajonal është tendencë anti-europiane për ta çorientuar dhe dominuar rajonin, si dhe zgjatur ndikimin e Rusisë. Kosova është kundër një ‘Jugosllavie të re’, model ky “, ka shkruar Hoxhaj në Twitter. /Insajderi.com