Shqipëria ka rreth 3 miliardë euro rezerva ndërkombëtare në valuta të huaja. Sipas Bankës së Shqipërisë, krahasuar me një vit më parë, rezerva valutore e vendit është rritur me mbi 150 milionë euro.
Autoriteti që administron rezervën valutore është Banka e Shqipërisë. Të dhënat tregojnë se banka e ka investuar pjesën dërrmuese të saj, rreth 1 miliard e 860 milionë euro, në letra me vlerë të qeverive të huaja.
Por banka nuk lejohet të investojë në letra me vlerë të çdo qeverie. Për shkaqe sigurie, ligji e detyron atë të blejë vetëm borxhin e vendeve të sigurta, ato të cilat kanë një vlerësim minimalisht më të lartë se 3B+ nga kompanitë e vlerësimit.
Për krahasim, vetë Shqipëria ka një vlerësim më të ulët sesa ky, andaj bankës nuk i lejohet të blejë borxhe në valutë nga qeveria shqiptare, shkruan top-channel.
Zëri i dytë ku është investuar rezerva ndërkombëtare janë monedhat dhe depozitat në bankat e huaja qendrore.
Në këto instrumente, Banka e Shqipërisë mban rreth 806 milionë euro, ndërsa dy zërat e fundit janë kuotat në Fondin Monetar dhe shufrat e arit.