Komiteti Teknik i Ekspertëve në Shqipëri ka vendosur lehtësimin e masave anti-Covid. Ministrja e Shëndetësisë së Shqipërisë Ogerta Manastirliu deklaroi se ora policore zgjatet nga 20:00 e mbrëmjes në 22:00.
Gjithashtu ministrja tha se do të hapen fluturimet me Britanike. Manastirliu u shpreh se vendimi për të rihapur fluturimet me Britaninë vjen për shkak të përmirësimit të situatës në shtetin ishullor, që ka qenë shembull edhe në procesin e vaksinimit të popullsisë.
Gjithashtu, ministrja në konferencën për shtyp sqaroi se nisja e muajit në Ramazanit më 13 prill ka qenë edhe një nga motivet që i kanë shtyrë për të zgjatur orën e lejuar të qarkullimit të qytetarëve.
“Zgjatet me dy orë edhe aktiviteteve të bareve dhe restoranteve. Nuk ndryshon asgjë nga protokollet e sigurisë. Të gjitha masat do të vijojnë të jenë sic janë, ora policore do të bëhet nga ora 22:00 deri në 06:00. Kjo masë fillon nga dita e hënë.
Impakti i lehtësimit do të monitorohet për një periudhë dy javore. Duke marrë në konsideratë përmirësimin në Britani që ka pasur ecuri në vaksinimi, Komiteti ka propozuar rihapjen e fluturimeve me Britaninë. Qëndrueshmëria e situatës së epidemisë, ka qenë motivi kryesor i këtyre ndryshimeve. Kemi pasur edhe një arsye tjetër që na ka motivuar, lehtësimi i agjërimit për besimtarët myslimanë në muajin e shenjtë të Ramzanit,” deklaroi ministrja.