Shqipëria do të jetë vendi mikpritës i stërvitjes me trupa të ushtrisë amerikane “Defender Europe /21, e cila që nga viti 1995, konsiderohet si një nga më të mëdhatë në Evropë.
Stërvitja me trupa të ushtrisë amerikane “Defender Europe /21, që nga viti 1995, konsiderohet si një nga më të mëdhatë në Europë. Burime nga Ministria e Mbrojtjes thanë për DW se kjo stërvitje, mikpritëse e së cilës do të jetë Shqipëria, do të drejtohet nga Komanda e Ushtrisë Amerikane në Evropë. Stërvitja do të zhvillohet nga 1 maj- 14 qershor të këtij viti dhe do të shtrihet në disa vende të Ballkanit dhe të Detit të Zi.
Në të do të marrin pjesë mbi 17 mijë trupa amerikane dhe 14 mijë të tjera nga 26 vende anëtare të NATO-s, që do të vënë në dispozicion të stërvitjes edhe mjete ushtarake, Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, 4 mijë ushtarë amerikanë do të vendosen në Shqipëri dhe pjesa tjetër do të zhvendoset në vendet fqinje.
Shqipëria – partnere strategjike e sigurisë amerikane në Evropë
Kështu e cilësoi Shqipërinë ushtaraku i lartë amerikan, Gjeneral Majori Joseph Jarrard, Zëvendëskomandant i Ushtrisë së SHBA në Evropë, që mbërriti të mërkurën, (3.02) në Tiranë. Ai zhvilloi takime me autoritetet e larta të vendit për koordinimin e masave paraprake dhe përgatitjet për zhvillimin me sukses të stërvitjeje ushtarake ” Defender Europe /21. Jarrard mori pjesë të mërkurën, në mbledhjen e Këshillit të Lartë të Sigurisë, të thirrur nga kryetari i këtij Këshilli, presidenti, Ilir Meta. “Presim që Shqipëria të ketë një rol të rëndësishëm në këtë stërvitje madhore ushtarake. Ajo do të jetë një vend kryesor pritës për veprimtaritë e shumta ushtarake dhe kjo përforcon rëndësinë strategjike të gjeografisë së Shqipërisë në rajon” theksoi Zv/Komandanti i trupave amerikane në Evropë, Gjeneral Major Joseph Jarrard në median soociale të Ambasadës amerikane në Tiranë.
Ai theksoi, se stërvitja në fjalë do të shërbejë “për të ndërtuar gatishmërinë dhe ndërveprimin ushtarak të SHBA, me ushtarë shqiptarë në tokën shqiptare”. Presidenti Meta i cilësoi “NATO-n dhe partneritetin strategjik me SHBA shumë të rëndësishme për Shqipërinë dhe Ballkanin”. “Kjo stërvitje do të ketë rëndësi dhe ndikim në rritjen e aftësisë ndërvepruese mes strukturave ushtarake të vendeve të ndryshme aleate dhe forcimin e paqes, stabilitetit e sigurisë në rajon e më gjerë” theksoi Presidenti Meta.
Në takimin e Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare mori pjesë kryeministri Rama, Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, anëtarë të qeverisë dhe titullarë të agjencive ligjzbatuese dhe të sigurisë në Shqipvri.
Mbështetje e pakushtëzuar nga Shqipëria
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi që zhvilloi një takim me Zv/Komandantin e trupave amerikane në Europë, Gjeneral Major Joseph Jarrard theksoi se ” ka një mbështetje të pakushtëzuar të të gjitha strukturave të shtetit shqiptar, për realizimin me sukses të stërvitjes “Defender Europe / 21”.
Ai vuri në dukje se gjatë stërvitjes “do të respektohen protokollet më të mira shëndetësore dhe të gjitha rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, për parandalimin dhe përhapjen e virusit “COVID 19”.
Shqipëria vlerësohet si një aleate e palëkundur e NATO-s, ku u anëtarësua para 12 vitesh, në Prill të vitit 2009. Burime nga Ministria e Mbrojtjes bëjnë me dije se Shqipëria po investon në forcimin e gatishmërisë për mbrojtjen kolektive të NATO-s, në bashkëpunim të ngushtë me SHBA për të përmirësuar aftësitë e Forcae të saj të Armatosura./DW.