Prof. Dr. Wilfried Fiedler (lindur 1933 në Oberfrohna, Chemniz) është albanologu më i njohur dhe më i rëndësishëm në hapësirën gjermanofolëse dhe vazhdues i traditës së Gustav Meyer-it, Norbert Jokl-it dhe Maximilian Lambertz-it.
Pas përfundimit të studimeve për sllavistikë në vitin 1955 ai filloi punë si asistent shkencor pranë Institutit të Kulturës Popullore të Akademisë së Shkencave në Berlin. Në këtë kohë ai filloi të merrej edhe me gjuhën shqipe për të marrë pjesë në ekspeditën e përbashkët etnografike gjermano-shqiptare të etnologëve Erich Stockmann dhe Ramadan Sokoli që u zhvillua në vitin 1957 në Shqipëri. Pas kësaj ekspedite në Gjermani u botua studimi “Këngët e Çamëve” tekstet e të cilave, u përkthyen në gjermanisht nga prof. Fielder.
Pas kësaj ekspedite gjatë së cilës Fiedler u mor intensivisht me gjuhën shqipe, ai iu përkushtua albanologjisë.
Në vitin 1959 Fiedler u bë docent për gjuhën shqipe në Universitetin Humboldt të Berlinit dhe nga viti 1968 bashkëpunëtor shkencor i Institutit të Gjuhësisë së Akademisë së Shkencave të RDGj-së. Ai aty drejtoi deri në vitin 1989 bashkë me Dr. Oda Buchholz Sektorin e Balkanologjisë, shkruan mapo.al
Në vitin 1989 ai pasoi si profesor i Albanologjisë në Universitetin e Mynihut, prof. Martin Camaj. Pas daljes në pension në vitin 1998 prof. Fiedler vazhdon të punojë si profesor i jashtëm për gjuhën shqipe pranë Universitetit të Jenës në Institutin për Studimet për Evropën Juglindore.