Komiteti Teknik i Ekspertëve vendosi këtë të hënë ndryshimin e masave anti-Covid. Duke filluar nga data 1 shtator, ora policore do të shkojë në 23:00 deri në orën 06:00.
Nga data 6 shtator qytetarët që hyjnë në Republikën e Shqipërisë, nga të gjitha pikat kufitare duhet të plotësojnë një nga këto 3 kushte: Të paraqesin pasaportën e vaksinimit të plotë, e cila duhet të jetë jo më e vonshme se 2 javë nga data e hyrjes në kufi. Të kenë testin PCR negativ brenda 72 orëve, ose testin e shpejtë (rapid) brenda 48 orëve, ose të kenë provë të kalimit të infeksionit Sars Cov2 të vlefshme deri në 6 muaj pas shërimit.
Kjo është e vlefshme edhe për ata qytetarë që kalojnë tranzit në Shqipëri. Fëmijët deri në 6 vjeç nuk i nënshtrohen këtyre rregullave.
Qytetarët shqiptarë, rezidentë në Shqipëri, të cilët kthehen në Shqipëri dhe nuk kanë një nga dokumentet e sipërcituara, duhet të vetëizolohen për 10 ditë dhe të informojnë autoritetin shëndetësor për të kryer një test në fund të periudhës së izolimit.
Vaksinim të detyruar për grupet më të riskuara, stafet mjekësore, arsimtarët dhe studentët.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, në mbledhjen e zhvilluar nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, apeloi për vaksinim, duke i konsideruar shqetësuese shifrat në rritje të infektimeve nga varianti Delta.
“Nuk ka tani më asnjë dyshim se vala e re e Covid-19 ka mbërritur edhe më herët se sa vjeshta. Në Spitalin “Covid 1” janë pothuaj 100 të shtruar, 17 prej tyre në terapi intensive. Janë shumë më pak se sa në rajon, edhe falë shpejtësisë me të cilën Shqipëria nisi vaksinimin masiv, por janë shumë sidoqoftë po të kemi parasysh se jemi ende në gusht. Mjekët më kanë raportuar gjatë gjithë kësaj periudhe se, numri i të pavaksinuarve, është sa 95% e totalit të shtrimeve. Pra është fare e qartë se kush nuk është vaksinuar ende po rrezikon seriozisht, ndërsa përqindja fare e ulët e të vaksinuarve që preken është sidoqoftë shumë më e mbrojtur nga përkeqësimi fatal i sëmundjes”, u shpreh Manastirliu.