Pas ndalimit të duhanpirjes në ambiente të mbyllura, Shqipëria i bashkohet vendeve të tjera të Europës për tregtimin e paketave me imazhe të pasojave të duhanpirjes, njofton Top Channel.
Kjo shihet si një tjetër masë për reduktimin e duhanpirësve dhe mosjoshjen e atyre që e nisin rishtazi duhanin, masë e cila ka dhënë rezultate në vende të tjera.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka përcaktuar 30 imazhe, nga të cilat Shqipëria do të zgjedhë 10 prej tyre.
“Komiteti Ndërsektorial ka marrë vendimin. Tashmë jemi në fazën e përzgjedhjes së 10 imazheve, të cilat do t’i vihen shumë shpejt në dispozicion publikut, e në të njëjtën kohë edhe subjekteve që merren me tregtimin e duhanit, në mënyrë të atillë që të përgatiten kolitë e para të këtyre paketave në Shqipëri më 1 janar 2018, duke qenë konform ligjit të përcaktuar”, tha Eltar Deda, kreu i Inspektoriatit Shëndetësor Shtetëror.
Pakteta të çfarëdolloj marke do të kenë të njëjtin imazh, ose mund t’i përdorin të dhjeta. Dallimi i vetëm do të jetë emri i secilës markë poshtë figurës.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka vlerësuar zbatimin për herë të parë të ligjit antiduhan në Shqipëri, pas tentativave të herëpashershme vite më parë.